Auditori i Përgjithshëm dorëzon në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, të premten është pritur në takim nga kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT), Armend Muja.

Osmani e ka informuar Mujën për finalizimin e procesit të auditimit për sezonin 2020/21 dhe për vështirësitë me të cilat është duke u ballafaquar ZKA-ja në realizimin e planit të auditimit. Ata kanë biseduar për modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së dhe KBPT-së me qellim që rezultatet e auditimit të përmirësojnë qeverisjen dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm/Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) e ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës edhe Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020. Pas dorëzimit, raporti është publikuar në uebfaqen e ZKA-së.

Reklama e sponzorizuar

Raporti Vjetor i Performancës përmban informata të rëndësishme rreth performancës së institucionit të Auditorit të Përgjithshëm në përmbushjen e obligimeve të tij kushtetuese e ligjore, në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA).

Puna e Zyrës gjatë vitit 2020 është mbështetur në Planin Strategjik 2018-2021, Planin Vjetor të Auditimit 2019/20, që paraprakisht i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës, si dhe në Planin Operativ 2020.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, në fjalën e tij brenda raportit ka thënë se pavarësisht se viti 2020 ka qenë sfidues për shkak të ndikimit të pandemisë COVID 19, Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur t’i përmbush të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën audituese, duke forcuar mbulueshmërinë dhe cilësinë e auditimit. Madje gjatë vitit 2020 ka kryer numrin më të lartë të auditimeve të rregullsisë që nga themelimi.

Ai ka thënë se përmes rekomandimeve praktike, ZKA-ja ka shtrirë më tej ndikimin e saj, ku është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

“Janë audituar 95 organizata buxhetore me një buxhet të përgjithshëm rreth 2.5 miliardë euro, 14 ndërmarrje publike kryesisht në fushën e telekomunikimit, furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave, 8 auditime të performancës me fokus tema komplekse, si dhe 9 projekte të financuara nga fondet e donatorëve”, është shprehur Osmani.

Paralelisht, janë përditësuar doracakët dhe letrat e punës sipas Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe praktikave të mira ndërkombëtare si dhe është digjitalizuar procesi i punës audituese me lansimin e sistemit elektronik të auditimit SITA, përmes së cilit do të racionalizohet koha në auditim, rritet cilësia dhe siguria e auditimeve si dhe forcohet transparenca.

Kurse sukseset në rrafshin ndërkombëtar kanë kulmuar me integrimin e ZKA-së si anëtare në dy organizata ndërkombëtare, Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) dhe në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI).

Ndërkaq, me Planin Vjetor për sezonin e auditimit 2020/21, ZKA-ja është duke kryer 116 auditime të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë) si dhe tetë auditime të performancës. Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020 mund ta gjeni këtu.