Kompania me qendër në Seattle “Gravity Payments” ka trefishuar të ardhurat e saj që kur drejtori ekzekutiv i saj Dan Price ngriti pagën minimale të punëtorëve të kompanisë në 70,000 dollarë, gjashtë vjet më parë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ka qenë vetë Price ai që ka konfirmuar se para ndryshimit të politikës së pagës, “Gravity Payments” kishte një vëllim qarkullimi prej 3.79 miliardë dollarë në 2014, dhe vitin e kaluar, pavarësisht nga pandemia, kompania kishte një vëllim prej 11 miliardë dollarë dhe vlerësohet se do të arrijë në rreth 13.5 miliardë dollarë këtë vit.
“Kur ju paguani punëtorë mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e tyre, kjo krijon një rrjet sigurie”, ka thënë Price për Newsweek, përcjell Telegrafi.
“Ata nuk duhet të stresohen më shumë për të bërë para të mjaftueshme për të mbuluar gjërat themelore dhe krijon një situatë ku njerëzit mund të përqendrohen në punën e tyre, përparimin në karrierë dhe rritjen e aftësive të tyre”.
“Ekziston një ndjenjë krenarie që ndien dikush kur po siguron një pagë jetese të mirë dhe se zëri i tij ka rëndësi, gjë që është e mirë për produktivitetin. Qarkullimi i punonjësve tanë gjithashtu u shkurtua në gjysmë që kur kemi zbatuar politikën tonë të pagës”.
Ai kishte habitur udhëheqësit e tjerë të biznesit në vitin 2015 kur kishte njoftuar se do të zvogëlonte pagën e tij prej 1,1 milion dollarë gjatë tre viteve të ardhshme për të financuar një pagë minimale prej 70,000 dollarë për çdo punonjës në kompaninë e përpunimit të kartave të kreditit që ai bashkë-themeloi.