Hyjnë në fuqi masat e reja

Dje në Qeveri të Kosovës janë miratuar masa të reja Anti Covid, raporton Gazeta Express.

Qeveria e Republikës së Kosovës dje ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka marrë vendim për miratimin e masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID–19, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës si dhe ka miratuar disa vendime nga fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit.

Reklama e sponzorizuar

Në kuadër të këtij vendimi nga sot rihapet gastronomia lokalet hoteliere dhe qendrat tregtare.

Ora policore do të jetë nga ora 22:30 deri në ora 05:00 të mëngjesit.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Qeverisë:

Vendimi i miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës përfshinë masat si në vijim:

1.    Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

2.    Qytetari i huaj që hyn në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet­ të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.

3.  Përjashtim nga pika 2 bëjnë:

3.1. Nëse qytetari i huaj hyn në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 ore përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda 3 ore;

3.2. Qytetari i huaj që punon si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga Covid-19;

3.3. Qytetari i  huaj që kalon nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshoj territorin e Kosovës brenda 5 orësh;

3.4. Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre.

3.5. Personi që ka dëshmi për marrjen e vaksinës kundër COVID-19.

4.   Në institucionet publike e private dhe në subjektet e tjera, të paraqiten në punë vetëm stafi esencial. Staf esencial konsiderohen punëtorët prezenca fizike e të cilëve në vendin e punës është e domosdoshme për kryerjen e detyrave të punës.

5.  Obligohen përgjegjësit përkatës në institucionet publike e private dhe në subjektet e tjera, që në bashkëpunim me punëtorët të definojnë stafin esencial.

6. Punëdhënësit publikë dhe privatë udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët që nuk janë staf esencial për nevojat e punëdhënësit.

7.  Të gjitha punëtoret shtatzëna duhet të lirohen nga obligimi për t’u paraqitur në punë duke iu krijuar mundësinë që të punojnë nga shtëpia.

8.  Obligohen institucionet publike e private dhe në subjektet e tjera të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit dhe në ambientet e brendshme.

9.  Obligohen institucionet publike e private dhe në subjektet e tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga Covid-19 (përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës).

10.  Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe në subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjet e hapësirave të mbyllura.

11.  Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç:
11.1.Gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes;
11.2. Gjatë vrapit dhe çiklimit;
11.3 Gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të  të njëjtës familje.

12.  Kufizohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:30 deri në 05:00, përveç:
12.1. Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi).
12.2. Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë, dhe operatorët që kryejnë punë dhe shërbime publike.
12.3. Operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.

13.  Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtoret e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga pika 12 kanë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar nga dhe në banesat e tyre.

14.    Institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit.

15.    Konviktet lejohet të punojnë sipas rregullit një student në një dhomë.

16.    Të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.

17.    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit siç kërkohet me ligjet përkatëse.

18.    Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 30 persona (mbledhjet, seminaret, trajnimet). Pavarësisht numrit të personave, mbajtja e pritjes për ngushëllim/krye shëndoshë dhe organizimi i dasmave ndalohet.

19.    Përjashtim nga pika 18, bëjnë mbledhjet e Kuvendit të Kosovës, mbledhjet e Qeverisë, apo mbledhjet me interes të veçantë publik, të cilat lejohen pavarësisht numrit të personave.

20.    Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, jo më shumë se 30 persona.

21.    Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.

22.    Obligohen të gjithë operatorët të cilët për veprimtari ekonomike kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.

23.    Personi përgjegjës i institucionit publik apo privat dhe i operatorëve ekonomik, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse ata mbajnë distancë fizike prej të paktën dy metra nga grupet e tjera të personave.

24.    Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës. Lejohen deri në 40 klient për 100m2 (4 persona për 10 m2). Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

25.    Ambienti duhet të konfigurohet në mënyrë që klientët e ulur në tavolina të ndryshme të ndahen duke u përmbushur distanca prej të paktën 1 metri në mes karrigeve/ulëseve.

26.    Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në çdo ambient të operatorit ekonomik në të cilin lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve përveç:
26.1. Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i operatorit ekonomik;
26.2. Ndërsa paguan porosinë;
26.3. Gjatë shkuarjes ose kthimit nga tualeti;
26.4. Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.

27.    Nëse një zonë në ambient të jashtëm ku shërbehet ushqimi dhe pijet, është e mbuluar nga një çati, tendë, ose element tjetër statik, të paktën dy anët e plota të të gjithë zonës duhet të jenë të hapura për jashtë dhe nuk duhet të bllokohen në mënyrë të konsiderueshme nga asnjë mur ose pengesa të tjera fizike të padepërtueshme.

28.    Nëse zona në ambient të jashtëm ku shërbehet ushqimi dhe pijet  është e pajisur me një çati të lëvizshme dhe çatia tërhiqet,  çatia dhe të paktën njëra anë e plotë e zonës së ngrënies në natyrë duhet të qëndrojë e hapur.

29.    Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).

30.    Në hotele, pas orës 22:30, shërbimi i pijeve dhe ushqimeve lejohet edhe në zonën e përcaktuar për ngrënie dhe pije, vetëm për mysafirët e këtyre subjekteve, të cilët verifikohen përmes listës që tregon personat që qëndrojnë për fjetje dhe që ofrohet nga subjekti përkatës.

31.    Lejohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve, kafshëve dhe shpezëve deri në 40 për qind të kapacitetit.

32.    Therja e kafshëve lejohet vetëm në ambientet e autorizuara për këtë qëllim.

33.    Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri 50 për qind të kapacitetit dhe sipas udhëzuesit përkatës.

34.    Taksitë lejohen të punojnë me 1 udhëtar prapa ose 3 udhëtarë prapa nëse janë anëtarë të së njëjtës familje.

35.    Institucionet vartëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonitë, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme) lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 30 për qind të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime).

36.    Lejohen aktivitetet sportive pa prezencë të publikut, të cilat duhet të realizohen në përputhje me protokollet vendore dhe ndërkombëtare sportive.

37.    Lejohet  shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative sipas udhëzuesit përkatës.

38.    Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme bëhet në proporcion 1 klient në 8m2.

39.    Aty ku është e mundur në software të fitnesit/palestrës të përcaktohet numri maksimal i klientëve që mund të kenë qasje në hapësirat e fitnesit.

40.    Obligohet që personi përgjegjës i fitnesit/palestrës të ketë kujdes të veçantë në pikun e vizitës së klientëve, e që llogaritet koha nga ora 17:00 – 20:00, që të respektohet distanca e përcaktuar në udhëzues.

41.    Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për pastrimit) në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijesimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit.

42.    Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të nxjerrë udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:
42.1. Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e Covid-19;
42.2. Udhëzues i Përkohshëm  për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve,   industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;

42.3. Udhëzues i Përkohshëm  për institucionet arsimore të të gjitha niveleve;
42.4. Udhëzues i Përkohshëm  për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe qendra tregtare;
42.5. Udhëzues i Përkohshëm  për tubimet  fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete kulturore;
42.6. Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative  dhe sportive;
42.7. Udhëzues i Përkohshëm  për transportin publik;
42.8.Udhëzues i Përkohshëm  për institucionet e kujdesit shëndetësor;
42.9. Udhëzues i Përkohshëm  për aviacionin civil;
42.10. Udhëzues i Përkohshëm  për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të mbajtjes për të huaj.

43.    Udhëzuesit nga pika 42 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët ndaj të cilëve zbatohen.

44.    Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e këtij vendimi.

45.    Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUVK dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).

46.    Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin   e   masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike si dhe parashikimet për dy  javët në vijim.

47.    Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr.  07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShP-së.

48.    Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr.  07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

49.    Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat   ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë   Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

50.    I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim   është   Ministria e Shëndetësisë, ndër­kaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat apli­kohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

51.    Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 01/05 i datës 05.04.2021.

52.    Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe vlen deri në një vendim tjetër.

Masat e ndërmarra sipas këtij vendimi janë mbështetur në arsyetimin se:

Referuar raportit të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, nga 13 marsi 2020 deri më 16 prill 2021, numri rasteve të konfirmuara me COVID-19 është: –  pozitive: 101.153 –  vdekje:  2.061

Në një situatë të tillë të cenimit të shëndetit publik, janë të domosdoshme masa për kon­t­ro­llin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 sipas rekomandimeve të IKShPK-së dhe të ekspertëve. Duke e përcjellë me kujdes situatën epidemiologjike, me vëmendje të veçantë numrin e infektimeve të reja, rastet e vdekjes, kapacitetet infra­struk­tu­rore dhe të burimeve njerëzore në shëndetësi, Qeveria cakton masat që një­kohë­sisht synojnë para­ndalimin dhe kontrollin e përhapjes së infeksionit dhe minimizimin e dëmit ndaj ekonomisë.

Ministria e Shëndetësisë ka bashkërenduar vendimmarrjen me palët e inte­resit, të cilat kanë qenë të ndikuara drejtpërdrejt apo tërthorazi nga pandemia. Qeveria vëren se këto palë kanë ushtruar të drejtën e tyre për ndikim demokratik në vendimmarrje, në përputhje me nenin 45.3 të Kushtetutës.

Marrja e masave është bërë duke u kushtuar rëndësi tri objektivave:
– Parandalimi i përhapjes së sëmundjes dhe moscenimi i kapaciteteve spitalore;
– Për aq sa është e mundur, moscenimi i aktiviteteve ekonomike, por duke pasur prioritet ruajtjen e jetës dhe shëndetit të popullatës;
-Ruajtja e shëndetit mendor dhe fizik të qytetarëve.

Masat e përcaktuar në këtë vendim si dhe afatet kohore shërbejnë që situata epidemiologjike të mba­het nën kontroll. Ndryshimi i situatës epidemiologjike nuk përjashton vendime dhe masa të reja konform situatës së re.

Rrjedhimisht, në bazë të rekomandimeve të dhëna nga IKShPK, ministritë e linjës, palët e inte­re­sit dhe ekspertët përkatës, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.