Industria premtuese e dronëve

Dronët kanë hyrë në fjalorin e përditshëm kur flasim për teknologjitë më inovative. Ajo që deri para disa vitesh konsiderohej si një industri me pak perspektivë në fushën e biznesit, ose si “science fiction” dhe e paarritshme, është tashmë në qendër të interesit të investitorëve, programeve qeveritare dhe publikut.

Jo vetëm përparimi i teknologjisë së përpunimit të të dhënave, si bazë për krijimin e algoritmeve të nevojshme për fluturimin pa pilot UAS (Unmanned Aircrafr System) ose shkurt dronët, por sidomos nevojat në rritje për rezultate dhe efikasitet për shumë sektorë të ekonomisë, po e nxisin përfshirjen e dronëve në programet e ekosistemit ekonomik, me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë.

Dronët lindën nga projekte ushtarake, ku synimi kryesor ishte dhe është reduktimi në minimum i përfshirjes së drejtpërdrejtë të njeriut në taktikat e luftimit, si dhe rritjes në maksimum të shpejtësisë. Efikasiteti shumë i lartë në arritjen e rezultateve, do të bëjë që dronët, nesër të jenë pjesë e shumë industrive. Ata po përdoren në fusha dhe biznese premtuese në sektorin civil, duke ndikuar dukshëm në ndryshimin dhe përshtatjen edhe të modeleve të biznesit.

Reklama e sponzorizuar

Rritja e interesit në përdorimin e droneve lidhet me nevojën e shfrytëzimit në maksimum të resurseve, kapaciteteve njerëzore dhe burimeve natyrore, për të reduktuar sa më shumë pasojat negative ekologjike dhe globalizimit pothuajse total të ekonomisë së planetit. Avancimet e shumë teknologjive inovative, ku është investuar në shuma të mëdha, si në telekomunikacion, Inteligjencën Artificiale, kompjuterëve kuantikë, në hapësirë dhe navigacion, dhe në burimet e energjisë, kanë krijuar bazën e nevojshme për përfshirjen e dronëve në portofolin e shumë programeve, qoftë gjeostrategjike, qeveritare, në kërkime shkencore dhe startup-e të shumë fushave.

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ekonomia e lirë e tregut mundëson një diversitet të pafund idesh dhe teknologjik, edhe Bashkimi Europian, pas shumë diskutimeve me të gjitha palët e interesuara, e ka përfshirë teknologjinë e dronëve në pjesën më të madhe të programeve të tij, duke investuar në forma të ndryshme për nxitjen dhe përkrahjen e çdo nisme, që promovon përdorimin efikas të dronëve.

Me përshtatjen dhe ratifikimin së fundmi të rregullores për UAS, duke i konsideruar si një aset i përbashkët i të gjithë anëtarëve të BE-së, janë krijuar edhe bazat e para të fuqishme ligjore për të mundësuar nismën e lirë për zhvillimin dhe përdorimin e çdo lloj zgjidhje, bazuar në përdorimin e dronëve.

Duke filluar nga viti 2023, hapësira ajrore e BE-së do të menaxhohet me teknologji dhe metoda të reja për të harmonizuar trafikun ajror, jo vetëm për avionët e drejtuar nga pilotë, por edhe për dronët e kategorive të ndryshme. Kjo do të hapë një mundësi të paimagjinueshme për shfrytëzimin e kapaciteteve teknologjike të dronëve, në shërbim të industrisë, lëvizjes së lirë të mallrave, ruajtjes së mjedisit e shumë efekteve që do të duken shumë shpejt.

Kriza e paparashikueshme e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, ishte dhe mbetet një nga problemet më të vështira të njerëzimit, me pasoja shumë të thella negative për jetën e banorëve të planetit dhe ekonominë globale në përgjithësi. Por, si çdo krizë, edhe kjo ka hapur mundësi të pamenduara më parë, për përdorimin e dronëve dhe aplikacioneve të lidhura me to./Monitor.al/