Masat anti-Covid mund të vazhdojnë edhe pas 18 prillit

Qeveria e Kosovës ka thënë se situata epidemiologjike do të përcaktojë nëse edhe pas 18 prillit duhet vazhduar me masat që janë vendosur këtë fillimjavë apo të vendoset për lehtësimin e tyre. Ekzekutivi nuk përjashton mundësinë edhe të ashpërsimit, nëse masat e tashme nuk japin efektet e duhura në uljen e numrit të të infektuarve dhe viktimave nga COVID-19

Një ditë para hyrjes në fuqi të masave të ashpërsuara nga Qeveria është paralajmëruar se ato mund të vazhdojnë edhe pas 18 prillit. Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media, ku ka elaboruar disa prej masave, gjithashtu ka bërë të ditur se bazuar në vlerësimet e situatës epidemiologjike nuk përjashtohet mundësia e zgjatjes së afateve të masave.

Sipas ekzekutivit, varësisht nga situata epidemiologjike dhe efektit të këtyre masave mund të merren masa të reja të cilat mund të jenë më të ashpra apo më të lehta se masat e përcaktuara në këtë vendim.

“Afatet kohore të përcaktuara në këtë vendim shërbejnë si domosdoshmëri që lakorja e infektimit të ulët, mirëpo varësisht nga vlerësimet e situatës epidemiologjike asgjë nuk e përjashton që këto afate mund të zgjaten përmes një vendimi të ri. Varësisht prej situatës epidemiologjike dhe efektit të këtyre masave mund të merren masa të reja të cilat mund të jenë më të ashpra apo më të lehta se masat e përcaktuara në këtë vendim”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Reklama e sponzorizuar

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila që nga fillimi i këtij viti ka dënuar rreth 1.600 persona juridikë e fizikë për mosrespektim të masave ka nisur përgatitjen e planit operativ, i cili do të nisë nga dita e mërkurë.

Sipas zyrtarëve të kësaj agjencie, është i nevojshëm shtimi i numrit të inspektorëve dhe vazhdimi i kontratave të atyre që janë aktualisht duke punuar.

“I kemi rreth 90 inspektorë të kontraktuar nga MSh-ja, është një grup i djemve dhe vajzave të reja që po kryejnë punë të mirë. Këtyre inspektorëve t’u vazhdohet kontrata dhe ne t’i kemi në dispozicion deri në fund të pandemisë dhe bashkë me ta do t’i hartojmë planet operative. Nga nesër do të nisim ndryshimin e planit të kontrollit varësisht nga masat e veprimet e inspektorëve do të jetë konform tyre”, thotë Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.

Rritje të numrit të inspektorëve komunalë po presin edhe komunat e Kosovës. Derisa Asociacioni i Komunave të Kosovës thonë se kanë pranuar me qindra ankesa pasi inspektorëve komunalë u është ndaluar pagesa shtesë.

“Në përgjithësi komunat i kanë kapacitetet shumë të limituara inspektuese. Ne si ASK, përmes kolegjiumit tonë e kemi ngritë këtë çështje në nivel qendror, ku kemi kërkuar që rreth 300 inspektorë të angazhohen nga niveli qendror dhe të dërgohen në nivel lokal në mënyrë që zbatimi i masave të jetë në nivel, mirëpo nuk është realizuar kjo kërkesë. Gjithashtu për çdo gjë po na shkruajnë se janë të demotivuar, sepse u është hequr pagesa e rrezikshmërisë dhe kërkojnë që kjo shtesë t’u kthehet përsëri”, thotë Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ata janë duke punuar në shtimin e inspektorëve nëpër komuna.

“Gjatë këtyre dy javëve që jemi në Qeveri, një ndër punët e para që kemi bërë është shtimi i numrit të inspektorëve dhe natyrisht është duke u punuar dhe do të kemi inspektorë shtesë, por pavarësisht punës është shumë e rëndësishme se kjo është përgjegjësi e secilit prej nesh, sepse nuk ka numër të inspektorëve që do të mund të monitorojmë të gjitha aktivitetet tona” , ka thënë ministri Vitia gjatë një vizite që i ka bërë qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë.

Si shkak i rritjes së të numrit të të infektuarve, vdekjeve dhe përhapjes së shpejt të variantit të ri britanik, nga kjo e mërkurë për 12 ditë është ndërprerë puna e gastronomisë. Po ashtu do të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve dhe një sërë masash të tjera, nëpërmjet së cilave sipas Qeverisë synohet ulja e shifrave të viktimave dhe të infektuarve me koronavirus.