Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar sot vendimin e marrë dje për ndalimin e shtesave prej 20 eurove për pensionistët kosovarë, pas reagimeve të shumta.
Murati thotë se shtesat prej 30 eurove nga qeveria e kaluar kanë qenë vetëm për tre muaj, ndërsa ministria që e udhëheq ai tani, ka buxhetuar edhe 8.5 milionë euro për pensionistët, ku shtesat për të gjitha kategoritë pensionale do të aplikohen gjatë tërë vitit, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas tij, nga pakoja e djeshme prej 20 milionë eurove e miratuar në qeveri, pjesa më e madhe e saj, 8.5 milionë euro janë ndarë për të mbështetur skemat e pensioneve që marrin nën 100 euro, si dhe familjet në asistencë sociale.
Murati shpjegon se shtesat për pensionet bazike nga qeveria e kaluar ishin ndarë në kohë fushate dhe vetëm për tre muajt e parë të këtij viti, janar-shkurt-mars, kurse pas muajit mars, këto shtesa ishin paraparë të ndaloheshin në tërësi.
“Me pakon e re, kemi shtuar 8.5 milion euro, aty ku qeveria e kaluar kishte buxhetuar 0 euro shtesa. Pra për muajt prill e tutje, nuk ka pasur shtesa të planifikuara. Krejt çka do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm të qeverisë, do të ishte shuma prej 75 ose 90 eurove, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratur në Kuvend”” u shpreh Murati në në komunikatë për media sot.
Pra, sipas Ministrisë së Finacave, për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro, përfshirë këtu edhe ato me 75 euro dhe me 90 euro, do të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë fiks 100 euro. Dhe këto shtesa do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit, njësoj sikurse mbështetja për përfituesit e asistencës sociale, sqaron tutje ministri./Buletini Ekonomik/