Home Ekonomi OAK kërkon nga ministri i Bujqësisë përkrahje reale për bujqit

OAK kërkon nga ministri i Bujqësisë përkrahje reale për bujqit

Krijimi i produkteve strategjike, subvencionimi i produkteve bujqësore sipas sasisë dhe jo sipërfaqes, ndryshim-plotësimi i udhëzimeve administrative të cilat afektojnë në bujqësi, kullota, turizëm dhe në sektorin e minierave dhe mineraleve, institucionet të përkrahin më shumë prodhimin vendor.

Krijimi i një strategjie afatmesme dhe afatgjatë për bujqësinë, nevoja e finalizimit të Ligjit për Pyje dhe Ligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ishin disa nga çështjet e diskutuara në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci.

Kryetari i Bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi theksoi rëndësinë e krijimit të produkteve strategjike bujqësore, duke pas parasysh që bujqësia është një ndër sektorët më me potencial për zhvillimin e vendit.

Reklama e sponzorizuar

Ndër të tjera, në këtë takim u shpalosën kërkesat e bizneseve të sektorit të bujqësisë, si kërkesë imediate për ndryshim në mënyrë që ti ofrohet përkrahja e duhur këtij sektori.

Në këtë aspekt u theksua nevoja e bashkëpunimit në mes sektorit publik dhe atij privat në hartimin dhe koordinimin e strategjive dhe zhvillimin e politikave të përbashkëta sektoriale, në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministri Faton Peci falënderoi OAK-un për shpalosjen e kërkesave të detajizuara dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim duke theksuar se një pjesë e kërkesave janë edhe në strategjinë të cilën është caktuar.