Panxha: Kosova gjatë 2020-së rriti eksportin në 460 milionë euro

Fotografi ilustruese

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve (KPK), Astrit Panxha ishte pjesë e panelit të diskutimit “Rritja e Konkurreshmërisë Eksportuese të NVM-ve Kosovare përmes Produkteve të Shumëllojshme Financiare” të organizuar nga USAID Kosovo Compete Activity, KPK-së dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Gjatë adresimit të tij, Panxha tregoi që përkundër pandemisë COVID-19 gjatë vitit 2020 kompanitë e Kosovës arritën të rrisin eksportin, ku ishte 460 milionë euro.

“Kjo rritje ndodhi për shkak të shumë faktorëve, por një nga ta ishte edhe dështimi i zinxhirit të prodhimit me Azinë ku disa kompani tona e shfrytëzuan shumë mirë këtë mundësi. Duke përcjell trendin e rritjes për tremujorin e parë të vitit 2021, ne presim që deri në fund të viti eksportet të arrijnë shumë prej 650 milionë euro. Apo një rritje prej 40 për qind. Mirëpo, për të pasur rritje të këtij sektori ekonomik duhet të ketë përkrahje si me grante por edhe mënyra tjera të financimit”, tha Panxha.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë takimit u bisedua për mundësinë e mbështetjes financiare për NVM-të Kosovare të orientuara drejt eksportit në industritë e përpunimin e drurit, TIK-ut dhe përpunimit të ushqimit.

U bë prezantimi i shembujve ekzistues të iniciativave të ngjashme dhe shkëmbimi i përvojave, por edhe koordinimi i donatorëve në lidhje me temën dhe identifikimi i mundshëm i veprimeve të sinkronizuara.