Një investigim gazetaresk ka zbuluar se disa shtetas të pasur jo anëtarë të BE-së morën shtetësinë malteze pasi kaluan vetëm disa ditë brenda kontinentit europian.
Sipas dokumenteve të zbuluara* këta investitorë e kanë plotësuar kërkesën e tyre për qëndrim një vjeçar duke marrë me qira prona bosh. BE-ja ka ngritur vazhdimisht shqetësime rreth skemave “të pasaportave të arta” në Maltë, Qipro dhe diku tjetër. Kompania e ndërmjetësimit e përfshirë mohoi çdo problem sistematik dhe Malta më parë e ka mbrojtur skemën e saj.
Çfarë zbuloi hetimi?
Dokumentet treguan se milionerët do të kalonin mesatarisht 16 ditë në Maltë gjatë periudhës së qëndrimit të tyre një vjeçar përpara se të merrnin shtetësinë, sipas The Times of Malta. Investitorët ishin në gjendje të merrnin me qira jahte ose të bënin bamirësi në mënyrë që të provonin një “lidhje të mirëfilltë” me vendin.
Në pjesën më të madhe të rasteve, aplikantët kaluan vetëm disa ditë në vend për të marrë kartën e tyre të qëndrimit, për të hapur një llogari bankare dhe për të përmbushur të gjitha kërkesat e tjera. Një shtetas nga Emiratet e Bashkuara Arabe arriti në mëngjes dhe u largua nëntë orë më vonë, pasi kishte bërë betimin e tij për besnikëri. Një aplikant tjetër që kërkonte të merrte me qira një pronë përmes Henley Partners thjesht kërkoi opsionin më pak të kushtueshëm që do të përmbushte kërkesat e procesit të aplikimit. Qeveria malteze nuk i është përgjigjur publikisht hetimit. Gjithsesi më përpara ajo i ka dalë në mbrojtje skemës së saj. Pasi BE-ja njoftoi se do të fillojë veprimet ligjore kundër Maltës vitin e kaluar, Kryeministri, Robert Abela tha “Ne do të mbrojmë Maltën. Po të mos kishte qenë për kontributet e atij programi, të cilin jemi në proces të prishjes, ne ndoshta nuk do të kishim qenë në gjendje të paraqisnim një buxhet të kësaj shkalle.”
Çfarë ka thënë BE-ja?
BE-ja i ka bërë thirrje edhe më parë Maltës dhe vendeve të tjera t’i japin fund kësaj praktike, duke vënë në dukje se skemat e shtetësisë së investitorëve cenojnë çështje të sigurisë, si dhe mbartin rreziqe të pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe korrupsionit.
Vitin e kaluar, Komisioni Europian nisi procedurat e shkeljes kundër Maltës dhe Qipros për skemat e tyre, duke theksuar se aplikantët përfituan nga shtetësia e BE-së pa vendosur lidhje të mirëfillta me vendin. “Sipas Komisionit, dhënia e shtetësisë së BE-së për pagesa të paracaktuara ose investime pa ndonjë lidhje të mirëfilltë me Shtetet Anëtare të interesuara, dëmton thelbin e shtetësisë së BE-së”.
Qiproja pezulloi skemën e saj të dhënies së shtetësisë dhe udhëtimit pa viza në të gjithë BE-në për ata që investojnë një minimum prej 2 milionë eurosh (1.8 milionë paund) pasi gazetarët e Al Jazeera filmuan zyrtarët qipriotë duke përdorur skemën për të ndihmuar një pseudo biznesmen kinez me të dhëna kriminale. “Një hetim qeveritar zbuloi se më shumë se gjysma e pasaportave të lëshuara sipas skemës midis 2013 dhe 2019 kishin qenë të paligjshme.
Si është përgjigjur kompania?
Henley & Partners tha, në një deklaratë për BBC Neës se ajo ishte “plotësisht e vetëdijshme për rreziqet e mundshme në dhënien e pasaportave për shtetësi, por gjithashtu tha se në fund të fundit është përgjegjësia e vendeve të përfshira për të hetuar dhe për të kontrolluar të gjithë aplikuesit. Duke mohuar çdo çështje sistematike me skemën, kompania shtoi se “vetëm një përqindje shumë e vogël e aplikacioneve … më vonë janë vënë në dyshim ose është zbuluar se janë keqpërdorur”.
Cila është skema e Maltës?
Vendi u ka ofruar shtetësi shtetasve të huaj në këmbim të investimeve që nga viti 2014. Rregullat aktuale kërkojnë një investim prej 600 mijë eurosh (720 mijë dollarë amerikanë, 520 mijë paund) dhe një periudhë qëndrimi tre-vjeçare, ose 750 mijë euro dhe një periudhë qëndrimi 12-muaj në rrethana të jashtëzakonshme. Aplikantët gjithashtu duhet të blejnë një pronë banimi me vlerë të paktën 700 mijë euro ose të marrin me qira për pesë vjet një pronë me një vlerë minimale dhe të dhurojnë 10 euro euro për bamirësi. Muajin e kaluar, Henley & Partners tha se Malta kishte procesin më të mirë të migrimit në botë për investime.
Çfarë ka ndodhur në të kaluarën?
Çështja e të ashtuquajturve “pasaporta të arta” u kritikua ashpër nga gazetarja investiguese Daphne Caruana Galizia, e cila u vra në një atentat me bombë në makinën e saj në vitin 2017.
Ajo cilësohet si “Gruaja Wiki Leaks”, e cila ka akuzuar vazhdimisht politikanë dhe zyrtarë të ndryshëm maltezë për korrupsion dhe se çfarë fshihet në të vërtetë pas skemës së dhënies së pasaportave për shtetësi.
Një burrë është burgosur për 15 vjet për vrasjen e saj, ndërsa dy të tjerë janë akuzuar për vendosjen e bombës në makinës e saj, por ata i mohojnë akuzat.
*Hetimi i përbashkët nga Fondacioni Daphne Caruana Galizia, The Guardian, Dossier Center dhe pesë organizata të pavarura mediatike të Maltës u bazua në mijëra email nga firma këshilluese e shtetësisë Henley Partners.