Projekti i financuar nga BE-ja mbështet Kosovën drejt furnizimit me energji të pastër

Ceremonia e përmbylljes së projektit të financuar nga BE-ja “Rehabilitimi i rrjetit të Ngrohjes Qendrore në Prishtinë”, u mbajt sot për ta shënuar përfundimin e punimeve dhe për t’i prezantuar të arriturat e projektit.

Ngjarja u mbajt në ndërtesën e Filarmonisë të Kosovës, që është njëri nga shumë përfituesit që janë lidhur me rrjetin e ngrohjes qendrore gjatë sezonit të fundit të ngrohjes.

Ambasadori Tomash Szunyog theksoi rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e furnizimit me ngrohje për qytetarët e Prishtinës.

Reklama e sponzorizuar

“Modernizimi i sistemeve të ngrohjes të Termokosit dhe zëvendësimi i djegies së qymyrit dhe drurit i kontribuojnë në masë të konsiderueshme përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët e Prishtinës dhe kanë ndikim të madh në mjedis”, tha ai.

Szunyog po ashtu potencoi se BE-ja do ta vazhdojë angazhimin e saj duke u përqendruar në një furnizim më të pastër dhe më të besueshëm me energji në Kosovë përmes projekteve të tjera.

Vlera e përgjithshme e projektit “Rehabilitimi i Rrjetit të Ngrohjes Qendrore në Prishtinë” është 6 milionë euro dhe zbatohet në kuadër të programit vjetor IPA 2015. Rezultatet kryesore të projektit janë këto projektimi dhe rehabilitimi i 104 nënstacioneve ekzistuese që përfshin zëvendësimin e nënstacioneve të vjetra të ngrohjes me nënstacione të reja të paramontuara me performancë të lartë të efiçiencës së energjisë; zëvendësimi i rreth 6 km tubacioneve të vjetra me gypa të rinj të paraizoluar dhe zgjerimi i rrjetit me rreth 9 km tubacione të reja, 15 km tubacione në total; zgjerimi i rrjetit me 70 nënstacione për klientët e rinj – mbi 10,000 qytetarë.

Klientët e rinj të lidhur me Termokos janë klientët rezidencialë në lagjet Kalabria, Mati, periferia e Bregut të Diellit, ndërtesat publike siç janë çerdhet e fëmijëve, shkollat, Teatri Kombëtar dhe Filarmonia e Kosovës, Fakulteti i Arkitekturës, ndërtesat shëndetësore etj./Ksp