Ende nuk kanë nisur punimet për Parkun Solar në Rahovec

Në mbi 100 hektarë tokë bujqësore dhe malore në mes të fshatit Kramovik dhe Guri i Kuq në Rahovec, ishte paraparë që të fillojnë punimet për ngritjen e Parkut Solar, në fillim të vitit 2025.

Edhe pse në muajin e katër të këtij viti, nuk shihet asnjë gjurmë e një projekti të tillë.

“Goxha do vjet i ka kjo punë, kanë thanë që duam ta rregullojnë, kanë thënë se rrymën duan me çit për Kramovik, ata kanë thënë se duan me ndreq këtu. Ja kanë filluar në komunën e Gjakovës. Këtu nuk e kanë nisur hiç, veç i kanë qit do pllakata”, ka thënë Sahit Halilaj, banor i fshatit Guri i Kuq në Rahovec.

Reklama e sponzorizuar

“Në Cërmjan është diku 220 hektarë, e këtu në Guri të Kuq është 120 hektarë. Prej paneleve solare presim shumë, është investim i qëlluar, punësohen njerëzit mos me dal jashtë”, ka thënë Shpejtim Hoqaj nga Cërmjani.

Përfaqësuesi i fshatit Guri i Kuq, Drilon Mustafa thotë se banorët kishin shumë shpresa.

“Ky fshat është gëzuar shumë duke menduar se do të përfitojnë direkt nga Parku Solar, ne e dimë se kjo nuk ndodh se shkon direkt në korporatë, por të paktën ne shpresojmë të na rregullojnë edhe rrjetin, tensionin e lartë, por sigurisht shpresojmë që do të ketë punësime, të bashkëfshatarëve këtu”, ka thënë ai.

Ndërsa përfaqësuesi i fshatit Kramovik, Binak Berisha, pohon se operatori ekonomik ka filluar me matjet.

“Informacionet e fundit që i kemi, janë se është bërë marrëveshja mes KOST-it për të lidh Parkun Solar, në lidhjen që është këtu në bokat e Kramovikut, tash po shpresoj që do të fillojnë edhe me punime. Janë pa duke punua, janë pa duke bërë matje përmes dronit, kanë punua disa ditë”, ka thënë Berisha.

Në komunën e Rahovecit thonë se kanë kaluar të gjitha procedurat.

“Sa i përket fillimit të punimeve në terren, kjo është përgjegjësi dhe kompetencë direkte e konsorciumit implementues dhe Ministrisë së Ekonomisë. Aktualisht, nuk kemi një datë të saktë për fillimin e punimeve. Sipas komunikimit të fundit që kemi pasur, janë në pritje të lejes ndërtimore, dhe jemi informuar se gjithçka po zhvillohet në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar”, thuhet në përgjigje.

Kompania e cila duhet ta ndërtojë Parkun Solar nuk ka dhënë përgjigje rreth fillimit të punimeve të parkut. Në studimin e fizibilitetit për këtë projekt ka rezultuar se kjo pjesë e komunës së Rahovecit ka pothuajse 219 ditë në vit ndriçim të mjaftueshëm diellor për prodhimin e energjisë së ripërtërishme. Sipas parashikimit, këtu do të ndërtohen mbi 258 mijë panele diellore, që do të prodhonin 100 Mw energji solare.