Qeveria e Mario Draghit pret që PBB-ja e Italisë të shkojë në 4.1% këtë vit

Ekonomia e goditur nga virusi i Italisë pritet të shënojë një rritje prej 4.1% gjatë këtij viti dhe 4.2% në 2022 në një “ngritje të pasigurt nga humnera”, u shpreh lobi i biznesit të vendit, Confindustria.

Ekonomia italiane shënoi një tkurrje rekord të pasluftës prej 8.9% vitin e kaluar, dhe sipas Confindustria edhe vlerësime të tilla të rritjes “historikisht të larta” nuk do të kompensonin humbjet e vitit të kaluar.

“Në fund të vitit 2022 ekonomia vështirë se do të ketë kapërcyer hendekun e krijuar në vitin 2020 nga pandemia”, tha Confindustria ndërsa njoftoi parashikimet e saj më të fundit ekonomike.

Reklama e sponzorizuar

Gjithsesi, shoqata kombëtare e biznesit paralajmëroi se vlerësimet e saj bazoheshin në pritshmëritë për ecurinë e vaksinimeve në Itali dhe pjesën tjetër të Europës dhe se varet sesi koronavirusi do të “kufizohet në një mënyrë efikase”.

“Duke marrë parasysh pasigurinë e madhe (të kësaj situate), risqet që lidhen me vlerësimet e PBB-së (Produkti i Brendshëm Bruto) janë të larta”, citohej më tej në raport.

Grupi tha se kishte ulur vlerësimet fillestare të rritjes për Italinë, publikuar në Tetor, me 0.7 pikë përqindje për këtë vit për shkak të rritjes më të dobët se sa pritej në tremujorin e fundit të vitit 2020 dhe tre muajt e parë të 2021.

Sipas tij deficiti i Italisë do të shkojë në 7.8% të PBB-së këtij viti dhe në 4.8% në 2022. Rritjet e shpenzimeve qeveritare për të mbështetur ekonominë çuan deficitin e vendit në 9.5% të PBB-së në fund të vitit të kaluar.

Italia ka regjistruar më shumë se 113,000 vdekje nga COVID-19 që kur pandemia u shfaq për herë të parë në shkurt të vitit të kaluar, e shtata më e larta në botë.

Qeveria e Mario Draghit pret që PBB-ja të shkojë në 4.1% këtë vit dhe 4.3% në 2022.

Sipas vlerësimeve të qeverisë së mëparshme të bëra gjatë muajit janar, deficiti ndaj PBB-së pritet të shkojë në 8.8 për qind gjatë këtij viti, bazuar në një parashikim të rritjes ekonomike prej 6%.

Objektivat e reja të deficitit dhe borxhit, së bashku me parashikimet shumëvjeçare të rritjes së PBB-së, do të publikohen në Dokumentin Ekonomik dhe Financiar të Thesarit, që pritet të miratohet javën e ardhshme.

Komisioni Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka e Italisë aktualisht të gjithë shohin rritjen e Italisë nën 4% gjatë këtij viti dhe atij të ardhshëm./Reuters