Përballja e argumenteve e kundër-argumenteve mes Habibe Salihut, prokurores së rastit të njohur si “Grantet”, dhe tetë zyrtarëve e ish-zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, të akuzuar për korrupsion në këtë aferë, zgjati disa orë.
Pas konfirmimit të aktakuzës nga të dy shkallët e gjykatës, filloi shqyrtimi gjyqësor me kryeprotagonist ish-ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo, e zyrtarë të tjerë të lartë.
Në fjalën hyrëse, Salihu ka thënë së fati i këtij rasti do të vendoset nga dëshmitë e dëshmitarëve të ftuar nga Prokuroria. Theksin e ka vënë te dy prej tyre: Shqipe Dema, zyrtare në këtë ministri, dhe Danica Lavan, pjesë e kabinetit të ish-ministrit Rikalo.
“Do ta prezantoj edhe dëshmitaren Danica Lavan, nga e cila presim të dëshmojë se cili ka qenë roli i saj në program të veçantë, se a e di ajo kush e ka përgatitur, kush ka qenë kompetent për ta përgatitur këtë program. Nga Danica presim të dëshmojë se a ka pasur ndonjë rol i akuzuari Rikalo dhe nëse po cili ishte roli i tij?”,ka deklaruar Habibe Salihu, prokurore e shtetit.
Por, sipas avokatit të Rikalos, Miodrag Brkljaq, ajo çka ka prezantuar Prokurorja s’paraqet dëshmi që tregojnë ekzistimin e kësaj vepre penale.
“A mundeni të merrni me mend që të tubohet grupi prej katër njerëzve të cilët mes vete mezi njihen, prej të cilëve njëri është serb dhe tre të tjerë janë shqiptarë, që ata të bashkohen e të arrijnë marrëveshje që të merren vesh kush çka do të bëjë, e gjithë kjo me qëllim që buxheti i shtetit të Kosovës të dëmtohet për 4 milionë euro”, ka deklaruar Brkljaq.
Artan Qerkimi, avokati i ish-sekretarit të kësaj ministrie, Kapllan Halimi, ka thënë se klienti i tij nuk mund të këtë përgjegjësi për komisionin që e kishte përsipër ndarjen e granteve.
“Ligji dhe Rregullorja nuk e ngarkojnë asnjë sekretar të ndonjë ministrie që të përgjigjet për cilësinë e një grupi punues. Nuk ka asnjë provë të vetme se Halimi t’u ketë thënë anëtarëve të grupit punues se jeni emëruar vetëm formalisht, mos e kryeni punën që jeni tu e kry, sepse jeni vetëm grup formal. Nuk ka asnjë provë të vetme për këtë”, ka thënë Qerkini.
Aktakuzën e kanë kundërshtuar, gjatë fjalës hyrëse edhe të gjithë avokatët e të akuzuarve të tjerë: Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.
Në pjesën e dytë të seancës ka dëshmuar Shqipe Dema, drejtoreshë në Departamentin për Politika Zhvillimore në Ministrinë e Bujqësisë. Qysh në fillim tregoi se kur ishte pyetur, ajo kishte thënë se ndarja e granteve nuk po bëhej si duhej.
“Unë e kam këshilluar këshilltaren e ministrit që unë nuk muj me marrë përsipër një dokument që nuk është bo nga departamenti jem, që nuk ka kaluar nëpër procedurat sipas Udhëzimit Administrativ, përshkrimit të detyrave të Departamentit dhe në kapacitetin tim e kam këshilluar për hapat e mëtutjeshëm qysh kjo masë me marrë formë ligjore dhe transparente”, ka pohuar Dema.
Demaj do të vazhdojë të dëshmojë edhe në seancën e radhës.
Aktakuza në këtë rast është ngritur në fund të vitit 2019. Hetimi për këtë aferë kishte nisur pas një hulumtim që “Koha Ditore” e kishte bërë prej më shumë se dy muajsh, e i cili kishte gjetur një mori shkeljesh që Ministria e Bujqësisë i kishte bërë kur i kishte ndarë grantet./Koha.net/