Shqipëria ne mesin e vendeve me borxhin publik më të lartë në Europë më 2020

Shqipëria e ka nivelin më të ulet te të ardhurave për frymë në Europë, por nga ana tjetër borxhin publik e ka në nivelet më të larta europiane.

Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2020 borxhi i qeverive pësoi rritje kudo në Europë si pasojë e efekteve negative që solli kriza pandemike. Raporti i borxhit ndaj PBB-së në BE u rrit nga 77.5% në fund të vitit 2019 në 90.7% në fund të vitit 2020.

Shqipëria u rendit në vendin e 13 për raportin e lartë të borxhit më PBB në vitin 2020 në 36 vende europiane (shih grafikun bashkëngjitur). Gjatë vitit pandemik borxhi publik i vendit tonë u rrit me 11.6 pikë përqindje, duke arritur në fund të vitit 2020 në 77.8 për qind nga 66.2 për qind që ishte në fund 2019.

Reklama e sponzorizuar

Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019, të gjitha Shtetet Anëtare regjistruan rritje në raportin e borxhit të tyre ndaj PBB-së në fund të tremujorit të katërt të vitit 2020. Rritjet më të mëdha në raport u regjistruan në Greqi (+25,1 pp), Spanjë (+24,5 pp), Qipro (+24,2 pp), Itali (+21,2 pp) dhe Francë (+18,1 pp).

Vendi me borxhin më të lartë publik në raport me PBB edhe më 2020 ishte Greqia me 205% të PBB-së, me pas Italia me 155.5 % te PBB-së. Portugalia me 133.6%, Spanja 120 %, Qipro me 118%, Franca me 115%, Belgjika me 114%, Kroacia, 88.7%, Austria 83.9%, Sllovenia 80.8%, Hungaria 80.4%, Mali i Zi 79.4% dhe Shqipëria 78.5%.

Vendet me borxhin më të ulët në Europë ishin Estonia me 18.2% të PBB-së, Kosova me 19.9%, Luksemburgu me 24.9%, Bullgaria me 25%, Bosnia 37.7% dhe Çekia me 38%, Suedia me me 39,9% dhe Turqia me 41.4.

Sipas shpjegimeve të Eurostat borxhi u rrit në të gjithë Europën për dy arsye: E para tkurrja e PBB-së dhe e dyta zgjerimi i shpenzimeve dhe rënia e të ardhurave buxhetore.

Në fund të tremujorit të katërt të vitit 2020, letrat me vlerë përbenin 82.1% të borxhit të përgjithshëm të zonës së euros.

Ministria e Financave ne vendin tonë ka argumentuar se borxhi publik në Shqipëri gjatë vitit 2020 u rrit si rrjedhojë e pandemisë COVID-19, e cila pasoi tërmetin e fortë që goditi Shqipërinë në nëntor të vitit 2019. Vendi ka pësuar një tkurrje të madhe ekonomike nga njëra anë dhe zgjerim të deficitit dhe huamarrjes, nga ana tjetër, duke përmbysur trendin në rënie të borxhit në vitet e fundit dhe duke rritur borxhin publik për vitin 2020.