Cilat janë afatet e deklarimit dhe pagesave të tatimeve?

Të gjitha tatimet në Kosovë kanë afate të deklarimit dhe të pagesës së tyre.

Në bazë të rregullores së ATK-së, bizneset janë të detyruara që në afate të caktuara t’ia paraqesin ATK-së formularët përkatës në lidhje me pasqyrat financiare dhe pagesave përkatëse.

Kështu, Pasqyra e tatimit mbi qiranë dhe pasurinë e patrupëzuar dhe Pasqyra tremujore e tatimit dhe kontributeve për bizneset e vogla individuale, duhet të deklarohen në ATK prej datës 1 deri me datën 15 të çdo tremujori.

Reklama e sponzorizuar

Kurse Pasqyra e mbajtjes në burim dhe pagimit të tatimit, pasqyra e mbajtjes në burim dhe pagesës së tatimit në interes, ato për të drejtat pronësore, qira dhe kategori të veçanta, duhet të deklarohen prej datës 1 deri më datën 15 të çdo muaji, po ashtu në ATK.

Ndërkaq, pagesa tremujore e tatimit dhe kontributeve për bizneset e mëdha individuale, pasqyra tremujore e pagesës paradhënie për korporatat e vogla dhe ato të mëdha, duhet të bëhen çdo tre muaj, prej datës 1 deri më datën 15, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas ATK-së, deklarata e tatimit në të Ardhurat e Korporatave, Formulari i deklarimit vjetor dhe pagesat për tatimin mbi të ardhurat personale, si dhe deklarata e tatimit në të ardhurat nga ortakëria, duhet të deklarohen prej datës 1 deri më datë 31 mars të çdo viti fiskal.

Ndërkohë, formulari për deklarimin e pagesës për TVSH, duhet të dorëzohet nga 1 deri më 20 të çdo muaji, ndërsa kërkesat për rimbursim dhe rikthim nga 1 deri më 20 të çdo muaji apo të çdo tremujori.

Dhe e fundit, pasqyra e kontributeve pensionale dhe formulari i pagesës së tyre, dorëzohet çdo muaj, nga data 1 deri më 15. /Buletini Ekonomik/