Kosovarët që planifikojnë t’i kalojnë pushimet verore në bregdetin shqiptar duhet të kenë parasysh kursin e ri të këmbimit, pasi euro ka vijuar të humbasë vlerë ndaj lekut shqiptar. Kjo do të thotë se për të njëjtën shumë eurosh do të marrin më pak lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, një euro dje është këmbyer me 94.89 lekë, ndërsa në tregun valutor vlera e saj ka rënë edhe më tej, duke u tregtuar në rreth 94.5 lekë.
Ekspertët e ekonomisë e lidhin këtë zhvlerësim me prurjet e larta valutore në vend, të nxitura nga fluksi i turistëve të huaj, remitancat, si dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme.
Për të zbutur luhatjet në tregun valutor dhe për të forcuar rezervën valutore, Banka e Shqipërisë ka vijuar ndërhyrjet përmes blerjes së euros. Sipas kalendarit të publikuar, gjatë vitit 2026 institucioni parashikon të tërheqë nga tregu mes 330 dhe 450 milionë euro.
Këto ndërhyrje kanë ndikuar në rritjen e rezervës valutore, e cila aktualisht ka kaluar nivelin e 7.5 miliardë eurove. Pjesa më e madhe e kësaj rezerve në Shqipëri, mbahet në euro, e ndjekur nga dollari amerikan dhe paundi britanik.
Ekspertët vlerësojnë se euro mund të vazhdojë të dobësohet edhe gjatë javëve në vijim, duke zbritur nën nivelin e 94 lekëve në kulmin e sezonit veror. Kjo nënkupton se qytetarët e Kosovës, të cilët përdorin euron dhe zgjedhin Shqipërinë si destinacion për pushime, do të marrin më pak lekë kur t’i këmbejnë paratë e tyre, krahasuar me një vit më parë.
Për krahasim, më 16 qershor 2025 një euro këmbehej me 97.99 lekë, ndërsa më 16 qershor 2026 kursi zyrtar ka rënë në 94.89 lekë. /Buletini Ekonomik/









