Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se është shpallur tenderi i ri për mirëmbajtjen e rrugëve.
Në një konferencë për medie, Durmishi thotë se me këtë projekt i janë shpëtuar buxhetit të Kosovës rreth 22 milionë euro.
“Siç jeni të informuar edhe në konferencën e kaluar, ne kemi anuluar tenderin për mirëmbajtjen verore të rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021-2024. Vlera e parashikuar e këtij projekti ishte 44 milionë euro. Kjo kontratë ishte marrëveshje kornizë, e cila lejonte menaxherin e kontratës ta rriste vlerën e saj deri në 30 për qind. Në fakt ky 44 milionësh bëhej 57 milionë euro”, tha Durmishi, përcjell Telegrafi.
Ai tha se hapja e ofertave për këtë tender do të jetë në fund të muajit.
“Në fund të javës së kaluar ne kemi shpallur tenderin e ri, duke e ndryshuar edhe si koncept. Hapja e ofertave do të bëhet më 31 maj. Kontrata do të jetë një vjeçare. Vlera e parashikuar në këtë kontratë është 11 milionë e 669 mijë euro. Nëse i llogarisim për katër vitet e ardhshme, ne do të shpenzojmë maksimalisht 35 milionë euro. Vetëm nga kjo kontratë, buxhetit të Kosovës ia shpëtuam rreth 22 milionë euro”, shtoi ai.