Hajdari: Reciprociteti me Serbinë nuk është zgjidhja e problemeve

Ministria e Industrisë, Ndërmarësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, deklaroi sot se nuk ka dashur që të vendos menjëherë reciprocitetin me Serbinë por të shfrytëzojë mekanizmat rajonalë që të zgjidhin problemet që ekzistojnë mes dy shteteve.

Hajdari gjatë konferencës rajonale “Ndikimi ekonomik dhe pasojat e krizës” të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës dhe partnerët e saj, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri – Perëndimore dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë të Qarkut të Vlorës ka thënë se si ministre qëllimi është që të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të zgjidhë problemet, pavarësisht se Serbia po bën gjithçka që të pengojë vendin tonë.

Sipas saj, Kosova nuk është e përfaqësuar mirë në iniciativat rajonale prandaj kërkoi edhe mbështetjen e odave prezentë në këtë konferencë.

Reklama e sponzorizuar

“Kosova nuk është e përfaqësuar mirë (në iniciativa rajonale), Kosova shpeshherë ka sfida duke ditur që kemi një shtet fqinj që gjithmonë i pengon nënshkrimi i Republikës së Kosovës. Por ne së bashku, me bashkëpunimin tonë, do të punojmë që të jemi konstruktivë me të gjitha shtetet fqinje pavarësisht brengave që kemi, sidomos me një nga shtetet fqinje që është kryesore. Nuk kam dashur që të sjellë menjëherë masa të reciprocitetit me asnjë shtet fqinj, jam e interesuar të zgjedhim problemet përmes mekanizmave rajonalë që i kemi tani, duke filluar nga CEFTA, nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim dhe mekanizma të tjera që mund të na ndihmojnë për zhvillim dhe adresim të të gjitha sfidave në aspektin rajonal”, deklaroi Hajdari./KSP