Bordi i ri i Telekomit të Kosovës është duke shqyrtuar kontratat që kanë firmosur menaxhmentet e kaluara me kompani të ndryshme për shërbime. Njëra nga to – kontrata mes Telekomit dhe kompanisë “AdvanTech”, sipas menaxhmentit të Telekomit, nuk ka filluar ende të zbatohet, meqë janë duke pritur vendimin e Prokurorisë, e cila për disa muaj është duke e hetuar atë.
“Ka pasur shkëmbime të e-mailit, pasi kompania ka kërkuar sqarime rreth implementimit të kontratës dhe kjo çështje është diskutuar edhe në mbledhjen e Bordit, është edhe vendim i menaxhmentit derisa të sqarohet kjo çështje. A është e nevojshme që të ketë oferta më shumë në këtë pikë, absolutisht po”, ka theksuar Abazi.
KOHA ka raportuar për fillimin e hetimeve për kontratën me “AdvanTech”.
Hetimet kanë filluar bazuar në kallëzimin penal që ka bërë menaxhmenti i kaluar i Telekomit. Ky menaxhment ka ngritur dyshimet për disa pika të kontratës, të cilat i ka konsideruar si të dëmshme për ndërmarrjen. Në mesin e tyre është edhe ndarja e fitimit prej 60 për qind për kompaninë private, ndërsa 40 për qind për Telekomin.
Një pikë tjetër e kontratës për të cilën kanë shprehur dyshime është se nëse “AdvanTech” siguron një klient të ri në zona më të largëta që nuk ka shtrirje të rrjetit, atëherë Telekomi është i obliguar që të shtrijë rrjetin deri tek klienti, e ajo do të merret vetëm me pajisjen. Për këtë klient sërish kompania merr 60 për qind. Edhe për klientët ekzistues nëse dëshirojnë të ndryshojnë pajisjen apo ndonjë ndryshim, kompania sërish do të marrë 60 për qind.
Kontrata është nënshkruar në fund të vitit 2019 nga ish-kryeshefi i ndërmarrjes Bedri Istrefi.
Me kërkesë të Prokurorisë, në fund të shtatorit janë dorëzuar dokumentet e kërkuara. Megjithatë, në Telekom nuk kanë dhënë detaje lidhur me këtë me arsyetimin e mosinterferimit në proces. Kërkesa për dokumentacione është bërë më 21 shtator, ndërsa dokumentet janë dorëzuar më 23 shtator.
Pas shkarkimit të Bordit të Telekomit dhe emërimit të Bordit të përkohshëm nga Qeveria Kurti I, është bërë një auditim i kësaj marrëveshjeje dhe pas auditimit kontrata është dërguar për hetim. Kjo kontratë është lidhur përmes procesit të shprehjes së interesit. Megjithatë, sipas auditorit të brendshëm, kjo nuk është zhvilluar në bazë të asnjë ligji që aplikohet aktualisht në Kosovë.
Në raportin të cilin e ka siguruar KOHA thuhet se Telekomi nuk e ka definuar mirë llojin e kontratës që do ta nënshkruante me partnerin dhe rrjedhimisht nuk ka ndjekur procedurat e parapara me ligjet në fuqi. Deri te arritja e marrëveshjes, sipas Auditorit, do të duhej që të ndiqeshin procedurat e parapara me Ligjin për partneritet publiko-privat. Aty thuhet se shumë gjëra nuk ishin definuar në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes dhe kanë mbetur të definohen më vonë përmes ankesave si pjesë plotësuese e kontratës.
Në aneksin 4 të kontratës ishin përcaktuar pozicionet e ndarjes së të hyrave 55:45, pra që TK-ja do të marrë 55 për qind, kurse partneri 45 nga të hyrat e mbledhura. Por, sipas aneksit 6, ky proporcion i ndarjes së të hyrave është ndërruar në dëm të Telekomit. Proporcioni i ri ishte 40:60 në favor të operatorit privat.
Telekomi nuk sqaron se mbi çfarë parimi është bërë ndarja.
“Nuk sqarohet me dokumentacion përveç që komisioni thotë se kërkesa e partnerit ka qenë 60 % për partnerin dhe 40% për TK-në dhe me negociata është arritur që 55% të marrë TK-ja, kurse partneri 45%. Me aneksin nr.6 shfuqizohet aneksi 4 dhe raporti i ndarjes së të hyrave bëhet 60% për partnerin dhe 40% për TK-në. Sipas analizave që ka pasur në dispozicion komisioni, kostoja e deritanishme e shpenzimeve për shërbimet që pritet të kryejë partneri sipas kësaj kontrate ishte rreth 64%”, thuhet në raport.
KOHA ka kërkuar nga Prokuroria informata se në çfarë faze ndodhet hetimi për këtë kontratë, por ajo nuk është përgjigjur.
Përveç kësaj kontrate, Bordi i ri i Telekomit, i emëruar 20 ditë më parë, po shqyrton edhe disa kontrata të tjera të menaxhmenteve të kaluara të ndërmarrjes.
Objekt i shqyrtimit nga Bordi janë edhe kontratat për qira.
“Ka kontrata që Bordi ka kërkuar sqarime, ka kontrata në raport me qiranë, sidomos ato që janë me interes strategjik për ndërmarrjen, siç është objekti në shesh dhe ai te ‘Qafa’, menaxhmenti ka dhënë sqarime dhe në momentin që janë dhënë sqarimet dhe janë bërë matjet, ka dalë që vlera për metra katrorë është diku 7 euro për metër katror dhe që është nëse flasim për metra katrorë në qendër të Prishtinës, kjo është një çmim ideal me atë që merr Telekomi”, ka pohuar Abazi.
Sipas tij, ka kohë që Telekomi nuk ka pasur kontrata, pasi ka pasur vendime të bordeve për t’u shqyrtuar dhe për t’u analizuar.
E nga Ministria e Ekonomisë kanë thënë se pas emërimit të Bordit, ai ka për detyrë edhe shqyrtimin e kontratave apo marrëveshjeve të cilat ndikojnë në afarizëm. Sipas saj, Njësia për Monitorim të Ndërmarrjeve do të monitorojë për së afërmi punën e Bordit në ruajtjen e aseteve të Telekomit dhe në mbrojtjen e interesit publik.
Para pak ditësh, kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj, ka ngritur shqetësim për kontratat, siç i ka quajtur ai të dëmshme.