Kërkohet rritje e pagave për punëtorët e sektorit privat në Kosovë

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat e Kosovës ka protestuar më 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, duke kërkuar më shumë të drejta për punëtorët e sektorit privat në këtë vend.

Jusuf Azemi, udhëheqës i kësaj sindikate ka kërkuar sigurime shëndetësore dhe paga më larta.

Reklama e sponzorizuar

“Synimet tona në të ardhmen janë që të mos ketë pagë nën 350 euro. Punëtorët duhet të vetëdijesohen, duhet ta vlerësojnë punën që bëjnë”, ka thënë ai.

Në mesin e kërkesave tjera, anëtarë të Sindikatës kanë përmendur edhe nënshkrimin e kontratës kolektive, themelimin e gjykatës së punës, themelimin e fondit për punëtorë, që kanë humbur jetën në vendin e punës, trajtim të barabartë me punëtorët e sektorit publik e tjera.

Sektori privat është punëdhënësi më i madh në Kosovë.

Vlerësohet se në të punojnë mbi 220 mijë punëtorë.

Paga mesatare në sektorin privat është nën 350 euro.