Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, Nabila Alshamsi.
Ambasadorja ka shprehur vullnetin e Emirateve për të qenë pionere për investime në Kosovë, me përqëndrim në industrinë ushqimore dhe turizëm malor.
Në takim u pajtuan për organizimin e një konferencë të përbashkët për tërheqje të investimeve.
“Kryeministri Kurti vlerësoi përkrahjen e Emirateve të Bashkuara Arabe për Kosovën, si një ndër vendet e para arabe që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai e falënderoi ambasadoren për ndihmën e vazhdueshme që i kanë dhënë Republikës së Kosovës, veçanërisht për investimet e kaluara dhe ato të ardhshme për spitalet. Kryeministri theksoi nevojën për investime të cilat krijojnë vende të reja pune. Në takim u vlerësuan raportet e mira mes dy vendeve dhe u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit në çdo fushë me interes të ndërsjellë, në veçanti promovimin e investimeve të reja nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Republikën e Kosovës. Kryeministri dhe ambasadorja u pajtuan për organizimin e një konference të përbashkët për tërheqje të investimeve”, thuhet nga Kryeministria.