Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) gjatë vitit 2020 shënoi një vlerë prej 71 milionë eurove nga kthimi në investime, duke pësuar kështu një rënie vjetore prej 54 përqind në krahasim me 2019-n.
Ndonëse nga BQK-ja e cilësojnë si trend pozitiv këtë kthim, krahasuar me vitin 2019, ka nja rënie prej 54% nga kthimi në investime më 2020, pasi që kthimi në investime në vitin 2019 kishte qenë gjithsej 160.7 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas raportit të Stabilitetit Financiar të publikuar nga BQK-ja, kthimi më i ulët në investime erdhi si rezultat i performancës negative, përkatësisht humbjeve prej 90.4 milionë euro në tremujorin e parë të 2020-s, si dhe efekteve negative të Covid-19 në tregjet financiare ndërkombëtare.
Nga BQK-ja thonë se kjo shumë e humbjeve u kompensua në tremujorët vijues të vitit, përkatësisht nga kthimi bruto prej 162.3 milionë euro gjatë periudhës prill-dhjetor të 2020-s.
“Kthimi në investime shënoi rënie vjetore prej 55.4 përqind dhe zbriti në 72.3 milionë euro. Si rrjedhojë e përhapjes së pandemisë Covid-19, tregjet e jashtme pësuan rënie të konsiderueshme në tremujorin e parë të vitit, kur edhe fondet pensionale shënuan humbje të theksuara, kurse gjatë tremujorit të dytë të vitit, stabilizimi në tregjet e jashtme ndikoi që sektori të rikuperonte tërësisht humbjet dhe të realizoj në fund të vitit kthimin e mësipërm pozitiv:, thuhet në raportin e BQK-së.
Në anën tjetër, asetet e sektorit pensional gjatë 2020-s, shënuan rritje vjetore prej 1.2 përqind, dhe arritën vlerën 2.0 miliardë euro.
Po ashtu edhe arkëtimet e reja në këtë fond pensional, përgjysmuan shkallën e rritjes në 4.1 përqind nga 8.1 përqind një vit më parë, si rrjedhojë e efekteve të shkaktuara nga përhapja e pandemisë Covid-19, veçanërisht në fillim të pandemisë, ku kishte mbyllje të aktivitetete të të gjitha ndërmarrjeve jo-esenciale dhe kufizim të lëvizjes.
Në tkurrjen dhe luhatshmërinë e aseteve të Trustit, kishe ndikuar edhe mundësia e dhënë nga Qeveria për tërheqjen e 10% të kursimeve nga qytetarët.
Sipas të dhënave nga BQK-ja, deri në fund të vitit 2020, rreth 61.7% e kontributdhënësve kanë tërhequr kursimet e tyre në vlerë të përgjithshme prej 185.4 milionë euro.
BQK-ja bën me dije se tërheqja e mjeteve nga qytetarët gjatë periudhës dhjetor-prill, do të vazhdojë të ndikojë ecurinë e aseteve të sektorit pensional edhe në vitin 2021, por në një shkallë më të ulët. /Buletini Ekonomik/