Kuvendi vendos të enjten për mënyrën e pagesës së rrymës së shpenzuar në veri

Pesë rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri e Ndërmarrësi, të enjten do të shqyrtohen në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. Një nga rekomandimet e Lëvizjes Vetëvendosje, që do të shqyrtohet në seancë është edhe autorizimi i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, që me mjete vetjake t’ua paguajë shpenzimet e rrymës qytetarëve në katër komunat veriore, për gjashtë muajt e ardhshëm.

“Autorizohet N.P. KOSTT të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat e vendit (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan), sipas zgjidhjes së prezantuar dhe miratuar në Komisionin funksional duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetjak, mjete këto të cilat do të kompensohen nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”, thuhet në rekomandim.

Ky rekomandim nga deputetët e opozitës nuk është mbështetur në Komision dhe nuk pritet të marrë përkrahje as në seancë plenare. Madje, kryetari i Komisionit, Ferat Shala, i ka bërë thirrje KOSTT-it që të mos e zbatojnë këtë rekomandim. Sipas tij, pagesa e rrymës në veri në këtë mënyrë do të rrezikonte stabilitetin financiar të KOSTT-it.

Reklama e sponzorizuar

“Tani edhe kështu nëse thuhet se KOSTT i paguan, KOSTT është pjesë integrale, 100 për qind e shtetit, parlamentit, Kosovës. Është i njëjti buxhet, e njëjta para. Pra, për taktika politike, për t’u hedhur hi syve tanimë Qeveria Kurti po dëshiron që paranë publike ta çojë në drejtim të veriut përmes portës së dytë, përmes KOSTT-it, duke bërë dëm dyfish më të madh”, ka deklaruar ai.

Atë e ka kundërshtuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputeti, Pal Lekaj ka theksuar se Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me premtimin se nuk do të paguajë asnjë cent për rrymën e shpenzuar nga serbët në veri.

“Është tepër e pakuptueshme për ne se si një parti me program kinse të majtë shkel mbi parimin kryesor të qendrave të majta që është barazia e qytetarit. Me pagesën e këtij borxhi qeveria Kurti ka vendosur që të legalizojë dhe të pajtohet me krimin në veri për të cilin ka trumbetuar me vite. Ne si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës jemi kundër pagesës së rrymës në komunat serbe në veri dhe si zgjidhje të vetme për të dalë nga kjo situatë e shohim krijimin i një rregullatori energjik privat në komunat e veriut”, ka deklaruar Lekaj.

Në rast se kjo çështje nuk merr miratim nga Kuvendi i Kosovës, Qeveria duhet t’i ndajë KOSTT-it 11 milionë euro, ashtu siç kishte kërkuar, për të mbuluar humbjet nga furnizimi me energji elektrike në komunat me shumicë serbe.

Në një përgjigje për KOHËN, nga KOSTT-i kanë thënë se nuk do ta kenë problem pagesën, porse një zgjidhje afatgjate për këtë çështje është e domosdoshme.

“Zgjidhja afatgjate dhe e qëndrueshme e situatës në pjesën veriore të vendit, e cila e zgjidh problemin e furnizimit në një afat të shkurtër është e domosdoshme”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Sipas të dhënave të KOSTT-it, konsumi i energjisë elektrike në tri vitet e fundit ka shënuar rritje në komunat veriore të Kosovës. Në vitin 2020 konsumi në veri ka qenë 329 GWh apo për 13 % më i lartë krahasuar me vitin 2019. Nga vlerësimet e KOSTT-it, nga muaji prill 2021 deri në fund të këtij viti kostoja e energjisë elektrike për të mbuluar konsumin në pjesën veriore të Kosovës do të jetë rreth 11 milionë, nëse furnizimi bëhet kryesisht nga importi. Në dhjetor të vitit 2020, KOSTT ka filluar të blejë energji për mbulimin e humbjeve me mjetet të cilat i kishte ndarë Qeveria Hoti, me qëllim të ndalimit të devijimeve ndaj operatorëve të Sistemeve Transmetuese Evropiane që është edhe kusht i Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E. Tash, me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E nuk lejohen devijimet në sistemin transmetues evropian dhe KOSTT ka për obligim që të balancojë sistemin përndryshe, KOSTT-i përballet me pasoja.

“Në momentin që Kosova/KOSTT është pavarësuar nga Blloku SMM (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut) dhe është bërë zonë e pavarur rregulluese në kuadër të Bllokut AK (Shqipëri-Kosovë) çdo devijim i zonës që mbulon Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës konsiderohet devijim i Kosovës dhe KOSTT si subjekt përgjegjës për balancim ka obligime nga Marrëveshja e Kyçjes që ta mbulojë këtë devijim. Në të kundërtën, do të ndodhin penalizime të cilat kanë kosto më të larta”, thuhet tutje në përgjigjen e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut.

Që nga paslufta, në forma të ndryshme shteti i Kosovës dhe qytetarët kanë paguar energji elektrike për banorët e pjesës veriore të Kosovës. “Koha” ka provuar të marrë përgjigje nga Avokati i Popullit nëse po aplikohen standarde të dyfishta ndaj qytetarëve në këtë rast, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.