Mbi 500 biznese kanë shprehur interesim fillestar për të investuar në Parkun e Inovacionit dhe të Trajnimeve në Prizren, i cili në të kaluarën kishte shërbyer si kamp ushtarak gjerman, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë përfaqësues nga Agjencia gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP) është një projekt i përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Qeveria e Kosovës i ka dhënë në shfrytëzim këto hapësira shoqatës “ITP Prizren”, ndërsa GIZ do ta bëjë menaxhimin dhe zhvillimin e Parkut.
Deri më tani, thonë në GIZ, 12 kompani nga sektorët të ndryshëm kanë nënshkruar kontratë për hapësirat në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve.
“Që nga inaugurimi i Parkut, rreth 70 kompani kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e Parkut. Më shumë se 500 biznese kanë vizituar ose kanë shprehur interes fillestar për të investuar në Park, përkundër pandemisë që ka shkaktuar pasiguri te bizneset. Jemi në proces të përmbylljes së disa kontratave me biznese nga sektori i prodhimit, dhe me këtë ritëm, ka mundësi që në një të ardhme të afërt, numri i hapësirave të dedikuara për këtë sektor të përmbushet plotësisht”, thuhet në një përgjigje nga GIZ.
Sipas GIZ-it, kompanitë që vendosen në ITP kontribuojnë direkt në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në rritjen e përgjithshme të ekonomisë së Kosovës.
Parku me 40 hektarë dhe 52 ndërtesa
Sipas GIZ-it, shumë kompani gjermane si dhe të tjera nga diaspora kosovare, kanë shprehur interesim për t’u vendosur në këtë lokacion.
Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren përbëhet nga 40 hektarë dhe 52 ndërtesa. Investitorëve potencialë u ofrohet edhe mundësia e ndërtimit të ndërtesave sipas nevojave të tyre.
Ish-kampi ushtarak gjerman u shndërrua në Park të Inovacionit dhe Trajnimeve në vitin 2020 me një vendim të Qeverisë së Kosovës, pas largimit të ushtarëve gjermanë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha se pandemia COVID-19 ka kufizuar planet dhe mundësitë për investime, por që interesimi i kompanive për shtrirjen e kapitalit të tyre në këtë Park, ka qenë i madh.
“Qeveria e Kosovës është zotuar për bashkëfinancimin e këtij projekti, i cili tashmë është përfshirë në rishikimin e buxhetit për vitin 2021. Më tej, në bazë të statutit të shoqatës ‘ITP Prizren’, Qeveria e Kosovës është e përfaqësuar në bordin e ITP-së me dy anëtarë”, tha Kryeziu.
Zonat e lira ekonomike, të pafunksionalizuara
Kosova ka krijuar shumë zona ekonomike, siç është parku i biznesit në Drenas pastaj në Mitrovicë, parku teknologjik në Skenderaj, zona industriale në Suharekë, parku industrial holandez në Prizren, parku industrial në Vushtrri, parku teknologjik në Shtime dhe shumë zona ekonomike tjera.
Por, shumë prej tyrenuk janë funksionale.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë se në përgjithësi vendimet për krijimin e zonave të lira ekonomike nuk kanë pasuar një analizë të mirëfilltë të potencialeve dhe mundësive që të njëjtat zona të vihen në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit.
Zeka shton se nuk është e rastësishme që përtej atyre investimeve financiare që janë bërë në ato zona ekonomike, të njëjtat nuk kanë arritur të kthejnë investimin i cili është bërë për krijimin e tyre.
“Një pjesë e madhe e vendimeve për themelimin e zonave ekonomike, përjashto parkun e biznesit në Drenas, gati të gjitha vendimet tjera janë marrë në mënyrë aty për aty, pa një analizë dhe pa një studim të mirëfilltë të fizibilitetit. Shpeshherë vendimet për krijimin e zonave ekonomike kanë qenë vendime të partive të caktuara politike, që e kanë drejtuar Ministrinë e Tregtisë”, thotë ai.
Harrohet edhe zona ekonomike amerikane
Edhe për zonën ekonomike amerikane, shton Zeka, nga Qeveria e Kosovës, në aspektin praktik, nuk është bërë asnjë hap në funksionalizimin e kësaj zone.
Vendimi për këtë zonë ekonomike ishte marrë në vitin 2018 nga Qeveria e Kosovës dhe ajo është dashur të ndërtohej në Gjakovë.
“Ka pasur një grup punues të përbërë nga përfaqësues të disa ministrive dhe nga disa agjenci të pavarura, të cilat kanë pasur për qëllim përcaktimin e kritereve. Zona si e tillë është promovuar edhe në SHBA edhe nga përfaqësues të qeverisë dhe nga misionet diplomatike tona (OEAK). Është fatkeqësi, pasi që kjo tregon mungesë serioziteti nga ana e shtetit”, tha ai.
Vendimet për krijimin e zonave ekonomike, shton Zeka, nuk do të duhej të politizoheshin, por që ato të jenë zona që ndihmojnë zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik.
Krijimi i zonave ekonomike ka për qëllim nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në Kosovë, duke iu ofruar investitorëve infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive afariste, (si lehtësira tatimore) nxitjen e investimeve private në veprimtaritë prodhuese, si dhe të ndihmojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në Kosovë, e hapjen e vendeve te reja të punës. /REL/