Minatorët e Trepçës bojkotojnë punën, kërkojnë pagat e tyre

Më shumë se 350 minatorë të ndërrimit të parë nuk kanë hyrë sot fare në horizontet e minierës së Trepçës në Stantërg, ndërsa këmbëngulin rikthimin në punë pasi t’i marrin pagat.

Lajmin e ka bërë të ditur Gani Osmani, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrje.

Sipas tij, punëtorët janë të vendosur që mos të vazhdojnë punën deri sa të bëhen pagat.

Reklama e sponzorizuar

“Nga data 7-10 maj është dashur t’i marrim pagat për muajin e kaluar. Nuk janë bërë, andaj punëtorët nuk kanë dashur të punojnë. Nesër është bajram dhe përveç obligimeve familjare, kemi edhe obligime ndaj bankave, sepse pothuajse të gjithë punëtorët janë në kredi. Janë afërsisht mbi 350 punëtorë të ndërrimit të parë të cilët janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre, dhe janë të vendosur që mos të kthehen në punë pa i marr pagat”, ka thënë Osmani.

Edhe u.d. të drejtorit të minierës me flotacion në këtë ndërmarrje, Nexhat Dedia, e ka pohuar për KosovaPress bojkotimin e punës nga ana e minatorëve.

Ai theksoi se prodhimi ka shkuar me rregull, koncentrati nga mjetet e të cilit minatorët i marrin pagat është shitur, dhe tani janë në pritje.

Dedia u shpreh optimist se Kompania zvicerane e cila blen koncentratin nga Trepça, do ta kryej obligimin financiar gjatë ditës, në mënyrë që minatorët sa më parë të vazhdojnë punën e tyre në minierë.