Njohja e patentës nga Gjermania drejt finalizimit; Gonxhe: Do përfitojnë emigrantët, s’kanë nevojë për autoshkollë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës ka nisur hartimin për marrëveshjen e harmonizimit të njohjes reciproke të patentave me Gjermaninë.

Nënshkrimi i marrëveshjes do të mundësojë konvertimin reciprok dhe njohjen e leje- drejtimeve mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Gjermanisë. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor tha për Monitor se marrëveshja ndihmon si shqiptarët emigrantë rezidentë në Gjermani, por edhe shtetasit gjermanë rezidentë në Shqipëri.

Reklama e sponzorizuar

“Të gjithë emigrantët shqiptarë rezidentë atje që do të duan të konvertojnë patentën shqiptare në patentë gjermane, si edhe ato gjermane me shqiptare për shtetas apo posedues leje-drejtimi gjermanë rezidentë në Shqipëri. Procedurat do të kryhen pranë automotorizimeve respektive, sipas landeve në Gjermani dhe në drejtoritë rajonalet tona në Shqipëri. Procesi do të lehtësojë e vijë në ndihmë shumë emigrantëve tanë në Gjermani që nuk do të kenë nevojë të fillojnë një autoshkollë nga e para atje, e cila do të kishte kosto e angari kohore për ta”.

Para finalizimit të procesit të njohjes reciproke të patentave, kreu i DPSHTRR-së Blendi Gonxhe pohon se ministria Federale e Transportit e RF Gjermane ka vlerësuar leje-drejtimin shqiptar. “Patenta shqiptare është e njëvlefshme me atë gjermane si siguri, si proces kualifikimi dhe testimi dhe po ashtu sigurinë rrugore shqiptare me progres të madh në vitet e fundit e bazuar në statistika e objektiva rajonale/europiane, të kapura nga Shqipëria me ulje të numrit të aksidentëve për numër banorë e numër mjete e drejtues mjetesh, si edhe ulje vdekshmërie e arritje treguesish shumë pozitive mbi sinjalistikën e infrastrukturën në përmirësim”, nënvizon Gonxhe.

Më herët Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor publikoi edhe procedurat e konvertimit të patentës për qytetarët të pajisur me lejedrejtimi të huaj që u ka mbaruar afati i vlefshmërisë dhe nuk kthehet dot jashtë që ta rinovojë për shkak të sanksioneve nga Covid-19 ose humbjes së rezidencës. Sipas DPSHTRR-së qytetari plotëson një kërkesë pranë sporteleve të drejtorive rajonale për heqjen dorë nga lejedrejtimi i huaj me qëllimin marrjen e lejedrejtimit shqiptar.

DRSHTRR njoftoi se qytetarët e interesuar duhet të paraqitet në sportel për aplikim për pajisje me lejedrejtimi shqiptar me këto dokumente me vete: dokument identifikimi të vlefshëm; lejen e qëndrimit e cila duhet të jetë brenda afateve të vlefshmërisë; lejedrejtimin e huaj; autorizim dhe fotokopje të kartës së identitetit nëse do paraqitet dikush tjetër për të tërhequr lejedrejtimin. Pas marrjes së miratimit nga shteti përkatës, qytetari i nënshtrohet testimit të normave të sjelljes në rrugë ku pasi e kalon këtë testim do të pajiset me lejedrejtimin shqiptar, duke dorëzuar edhe raportet mjekësore të nevojshme.

Për konvertimin e lejedrejtimit nga personel i huaj i ambasadave ose i Organizatave Ndërkombëtare që gëzojnë statusin diplomatik në Shqipëri, Ministria e Punëve të Jashme i përcjell dokumentet e diplomatit në DPSHTRR. Pas verifikimit të dokumentacionit, DPSHTRR bën njehsimin e lejëdrejtimit të huaj në shqiptare. Diplomati dorëzon lejedrejtimin kombëtar dhe aplikon për karton të ri lejedrejtimi shqiptar i vlefshëm për mandatin diplomatik. Pas përfundimit të mandatit diplomatik, lejedrejtimi kombëtar (origjinal) i kthehet sërish diplomatit.