Pas rënies së rasteve të infektuarve me COVID-19 në Kosovë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se ka ardhur koha që masat kufizuese të largohen për secilin sektor të ekonomisë.
Rukiqi me anë të një postimi në Facebook është shprehur se vizitat nga mërgimtarët janë infuzioni i domosdoshëm për ekonominë e vendit.
“Sot, as 2 % e te testuarve nuk kane rezultuar pozitiv me COVID-19. Koha qe masat kufizuese per secilin sektor te ekonomise te largohen. Koha qe veren ta presim te hapur dhe me gjallerine me te cilen karakterizohet. Turizmi veror (vizitat nga mergimataret) jane infuzioni i domosdoshem per ekonomine tone” (sic), ka shkruar Rukiqi në Facebook.
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit përmes një komunikate për media, ka njoftuar sot se ka shtyrë të gjitha veprimet që ka pasur plan t’i vë në praktikë, pasi që sipas tyre kanë marrë premtime nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për lirim të masave.
Takimi mes përfaqësuesve të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit dhe ministri Vitia është zhvilluar më datën 18 maj.
Ndryshe, në Kosovë numri i rasteve të reja me COVID-19 ka shënuar rënie kohëve të fundit, ndërkohë është duke vazhduar vaksinimi i qytetarëve.