Sot në Kosovë arrijnë edhe 38.400 doza të vaksinës AstraZeneca

Edhe 38 mijë e 400 doza të vaksinës AstraZeneca pritet të vijnë sot në Kosovë në kuadër të aleancës COVAX.

Siç ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë të hënën, duke llogaritur edhe 24 mijë doza të AstraZenecas që Kosova ka pranuar më parë, në total nga kjo vaksinë janë 62.400 doza.

Me pranimin e këtyre dozave të vaksinës kundër COVID-19, do të vijohet më tej me vaksinimin e kategorive të parapara sipas Planit Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe nga Bashkimi Evropian Kosova ka marrë donacion 95 mijë vaksina Pfizer, ku deri tash rreth 8 mijë kanë ardhur në Kosovë.