Banka Evropiane për Investime e gatshme ta mbështesë Fondin Sovran

Në 10 vitet e fundit, ky institucion financiar ka ofruar mbështetje me vlerë 241 milionë euro në sektorë të ndryshëm të ekonomisë në vend.

Kryeministri Albin Kurti, ka takuar të hënën zëvendëspresidenten e Bankës Evropiane për Investime (BEI) Lilyana Pavlova.

Krahas bashkëpunimit të deritanishëm dhe projekteve ekzistuese, në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në të ardhmen, sidomos në fushat prioritare të Qeverisë, si ajo e energjisë, arsimit dhe shëndetësisë, në të cilat EIB mund të japë mbështetje përmes financimit.

Reklama e sponzorizuar

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e Bankës Evropiane për Investime në zhvillimin e vendeve, duke e cilësuar atë si partnere të rëndësishme.

“Në 10 vitet e fundit, ky institucion financiar ka ofruar mbështetje me vlerë 241 milionë euro në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Përveç tjerash, në takim kryeministri gjithashtu foli edhe për Fondin Sovran, i cili u prezantua gjatë fundjavës që lamë pas”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Me këtë rast, zëvendëspresidentja Pavlova shprehu gatishmërinë e EIB për të mbështetur Qeverinë në këtë nismë.

Ajo gjithashtu theksoi faktin dhe rëndësinë për ta që Kosova ka një qeveri të qëndrueshme, pozitën e mirë makrofinanciare të saj dhe politikat e duhura fiskale që ka ndërmarrë Qeveria.

Në takim bashkë me kryeministrin Kurti, të pranishëm ishin edhe Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi si dhe Shefja e Kabinetit të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Anila Abazi.

Zëvendëspresidentja, Lilyana Pavlova po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në konferencën Vienna Economic Talks që u mbajt sot për herë të parë në Prishtinë.

Ajo ishte folëse kryesore në sesionin e dytë ku u diskutua për investimet e qëndrueshme në kohë krizash dhe në mjedis të fragmentarizuar, në të cilin pjesë e panelit ishin edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.