Tregtia Ndërkombëtare dhe Gjeografia Ekonomike

Format e tregtisë dhe vendndodhja gjeografike kanë qenë gjithmonë çështje kyçe në debatin ekonomik. Cilat janë efektet e tregtisë së lirë dhe globalizimit? Cilat janë forcat lëvizëse pas urbanizimit në mbarë botën?

Paul Krugman ka formuluar një teori të re për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Ai në këtë mënyrë ka integruar fushat e hulumtimit të tregtisë ndërkombëtare dhe gjeografisë ekonomike. Për kë arritje ai ka fituar edhe çmimin Nobel në 2008.

Qasja e Krugman bazohet në premisën se shumë mallra dhe shërbime mund të prodhohen më lirë në seri të gjatë, një koncept i njohur përgjithësisht si ekonomi e shkallës. Ndërkohë, konsumatorët kërkojnë një furnizim të larmishëm të mallrave.

Reklama e sponzorizuar

Si rezultat, prodhimi në shkallë të vogël për një treg lokal zëvendësohet nga prodhimi në shkallë të gjerë për tregun botëror, ku firmat me produkte të ngjashme konkurojnë me njëri-tjetrin.

Teoria tradicionale e tregtisë supozon se vendet janë të ndryshme dhe shpjegon pse disa vende eksportojnë prodhime bujqësore ndërsa të tjerat eksportojnë mallra industriale. Teoria e re e Krugman sqaron pse tregtia në mbarë botën është në fakt e dominuar nga shtetet që jo vetëm kanë kushte të ngjashme, por edhe tregti në produkte të ngjashme – për shembull, një vend si Suedia që eksporton dhe importon makina.

Ky lloj i tregtisë mundëson specializimin dhe prodhimin në shkallë të gjerë, e cila rezulton me çmime më të ulta dhe një diversitet më të madh të mallrave. Ekonomitë e shkallës në kombinim me kostot e transportit të reduktuara ndihmojnë për të shpjeguar pse një pjesë gjithnjë e më e madhe e popullsisë botërore jeton në qytete dhe pse aktivitetet e ngjashme ekonomike janë të përqendruara në të njëjtat vende.

Shpenzimet më të ulëta të transportit mund të shkaktojnë një proces vetë-përforcues, ku një popullsi në rritje metropolitane shkakton rritjen e prodhimit në shkallë të gjerë, paga më të larta reale dhe një furnizim më të larmishëm të mallrave. Kjo, nga ana tjetër, stimulon migrimin e mëtejshëm në qytete.

Teoritë e Krugman kanë treguar se rezultati i këtyre proceseve mund të jetë që rajonet të bëhen të ndara në një bazë të urbanizuar të teknologjisë së lartë dhe një “periferie” më pak të zhvilluar.