Dita ndërkombëtare e tyre po i gjen zjarrfikësit në Kosovë në gjendje mjaft të vështirë. Statusi i padefinuar, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese mes pushtetit lokal dhe qendror, mungesa e kushteve të punës, mospërmbushja e obligimeve nga punëdhënësit për kompensim, janë disa nga problemet kryesore me të cilat ata thonë se ballafaqohen çdo ditë.
Përveç problemeve të shumta me të cilat thonë se po përballen, sipas tyre, ata nuk posedojnë as kushte elementare në objektin e tyre të punës.
Lagështia ka dëmtuar tavanin e objektit dykatësh, ndërsa edhe muret e objektit nuk janë hiç më mirë.
Në dhomat ku zjarrfikësit mund të pushojnë, shihen kovat e ujit të cilat janë të vendosura në vendet ku zakonisht bien pikat e shiut, të cilat nuk i ndal dot kulmi.
Ata thonë se në shërbimin e zjarrfikësve të Kosovës ka mungesë të stafit punonjës. Janë rreth 800 zjarrfikës të angazhuar në nivel vendi, numër ky sipas tyre, dukshëm i vogël në krahasim me numrin e intervenimeve që brenda një viti kanë, e që varion mes 8 mijë -10 mijë raste.
Shofer-zjarrfikësi, Vezir Berisha ka thënë se zjarrfikësit janë të parët që hyjnë në zjarr, porse në ditën e tyre, askush nuk kujtohet për ta.
“Kisha shfrytëzua rastin t’iu them: ‘marre iu koftë, me kryetar komune, me drejtorët, marre iu koftë’. Mos me pas mundësi me ardh 5 minuta me na e thënë një urim a diçka. Ne jemi mësuar me fjalë, fjalë të kota sa të duash, kur është puna me hy në zjarr ne jemi të parët, jemi heronj. Por jo, duhet me ditë si respektohet punëtori”, ka thënë ai.
Përkundër vështirësive që kanë në vendin e tyre të punës, Berisha ka theksuar se ajo që i mban në krye të detyrës është dëshira për të shpëtuar jetë, e që sipas tij, kjo është edhe kënaqësia e vetme që kanë.
“Kënaqësi e madhe është kur e shpëton dikë, kur pranon falënderime prej personit që ia ke kryer punën. Kënaqësi më të madhe se me e shpëtua një njeri nuk ka, por për fat të keq kemi raste që edhe po pësojnë me fatalitet… Aktualisht paga është shumë e ulët, ndërrimet e natës, orët shtesë, kurrfarë benefite nuk kemi… E ka vështirësuar shumë pandemia punën tonë, kanë qenë disa të prekur. Edhe për pandemi neve na kanë anashkaluar”, thotë ai.
Kryetari i Sindikatës të Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka ka thënë se 4 Maji po i gjen në gjendje të vështirë zjarrfikësit e Kosovës, për çka shton se kjo ditë do të duhej t’u shërbente institucioneve që të bëjnë zgjidhje për këtë shërbim të domosdoshëm emergjent.
“Edhe këtë vit, 4 Maji, Dita Ndërkombëtare, zjarrfikësit e Kosovës i gjen në gjendje të vështirë, në të gjitha aspektet, edhe organizativ edhe resurset njerëzore… Problemet kryesore janë statusi i padefinuar, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese mes pushtetit lokal dhe nivelit qendror, kushtet e punës, mospërmbushja e obligimeve si punëdhënësit, u zjarrfikësit nuk kompensohen në festat zyrtare, ndërrimi i natës, orët jashtë orarit, koeficienti më i ulët në nivel të vendit, pa sigurime shëndetësore, pa kontrolle sistematike të pajisjeve, pa aplikim të masave për mbrojtje dhe siguri në punë. Zjarrfikësit punojnë me pajisje të patestuara sipas kontrollit periodik të prodhuesit, dhe kur të gjitha këto probleme grumbullohen, me të vërtetë do zgjidhje emergjente. Dhe shpresojmë që kjo ditë të jetë pikënisje për institucionet e vendit, të zbresin në teren dhe të shohin gjendjen ekzistuese”, ka thënë Beka.
Sa i përket numrit të zjarrfikësve të angazhuar në nivel vendi, Beka ka thënë se është shumë më i vogël nga sa do të duhej të ishte.
“Mungesa e stafit është evidente, mungon një numër, mos të them dyfishi i zjarrfikësve aktual që janë… Vetëm në Prishtinë janë mbi 20 vende të lira të punës, pasi disa kanë ndërruar pozitat, janë pensionuar, kanë shkuar në institucione tjera, dhe nuk po munden të gjejnë gjuhë të përbashkët për shpallje të konkursit për të pranuar punëtorë të ri… Qe 4-5 vjet është kjo mungesë e zjarrfikësve”, thotë Beka.
Ai ka apeluar institucionet që të gjejnë një zgjidhje për ta, në mënyrë që shpëtimtarët e Kosovës të kenë kushte adekuate të punës sikurse në të gjitha vendet tjera.
“Apelojmë tek institucionet, ende nuk i kemi takuar, shpresojmë t’i takojmë, kërkesat e dinë cilat janë sepse kemi pasur takime më herët. Edhe ministri Sveçla i din cilat janë problemet, shpresojmë që më në fund do të bëhet një zgjidhje dhe të fillojnë të zgjidhen problemet, sepse duhet të fillojnë të përmirësohet kjo gjendje ashtu siç e meritojnë shpëtimtarët kudo që janë”, ka theksuar ai.
KosovaPress ka provuar të marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me kërkesat e zjarrfikësve, mirëpo kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje.