Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ia ka dorëzuar zëvendës kryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimit, Marrëveshjen e Partneritetit për Kornizën Financiare (MPKF) IPA 3, marrëveshje e aprovuar nga Komisioni Europian.
Bislimi e nënshkroi sot këtë marrëveshje, e cila sapo të ratifikohet nga Parlamenti i Kosovës, do t’i mundësojë Kosovës të pranojë ndihmë teknike dhe financiare nga Bashkimi Evropian. E njëjta mbulon programet vjetore të IPA-s për vitet 2021-2027, dhe do të mundësojë miratimin e menjëhershëm të fondeve të IPA-s për vitin 2021 për Kosovën, në vlerë të 64 milionë eurove, raporton Telegrafi.
“Do ta përdorim fondin IPA 3 për rregullimin e mbrojtjes së drejtave të njeriut, barazinë gjinore, qeverisjen komunale dhe sigurinë publike në Kosovë” tha ambasadori Szunyog.
“Fondi do shkojë edhe tek ngritja e kapaciteteve të administratës së Kosovës në përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që t’iu përgjigjet nevojave urgjente të ekonomisë, nevojave sociale ose shëndetësore, mbrojtjes së ambientit, në përputhje me praktikat bashkëkohore të BE-së, të rrisë konkurrencën në sektorin e agro ushqimit, dhe të ndihmojë në arritjen e kritereve ekonomike për anëtarësim në BE”, shtoi tutje ambasadori.
Kosova filloi të përfitojë nga Fondi IPA që nga viti 2007. Që nga atëherë, fondet që Kosova i përfitoi deri tani në vitin 2022, arrijnë vlerën e 1,21 miliard eurove nga fondet IPA 1 dhe IPA 2.
“Fondet që merren para anëtarësimit në BE japin një shtytje të rëndësishme që ta plotësojnë procesin tonë për të aplikuar reformat që ndërlidhen me BE-në. Fondet e IPA 3 do përdoren në reformimin e brendshëm në mënyrë që ta përshpejtojmë procesin e integrimit në BE, do mbështesim investimet që nevojiten të arrijmë reformat e kërkuara të Programit të Reformave Evropiane, Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe në sektorët strategjikë me fokus në punësimin e rinisë, në sektorin e energjisë elektrike, mjedis, si dhe rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në fusha të tjera strategjike”, tha zëvendës kryeministri i parë Besnik Bislimi.
BE-ja mbetet si partneri më i madh tregtar i Kosovës, dhe ofruesi më i madh i ndihmave financiare.










