Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se janë arrestuar edhe tre persona të dyshuar për përfshirje në rastin e keqpërdorimeve të një kontrate të lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe Operatorit Ekonomik “Zone Mobile” L.L.C,.
Vlera e kësaj kontrate është 450 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria ka bërë të ditur se arrestimet kanë ardhur pas kontrolleve të kryera në një aksion të kryer në bashkëpunim edhe me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Drejtorinë e Hetimeve kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit
“Gjatë këtij aksioni janë kryer kontrollet e shtëpive dhe lokaleve në komunën e Prishtinës, Pejës dhe Prizrenit, ku janë konfiskuar dokumente të ndryshme dhe mallra në vlerë rreth 30,000 € (tridhjetë mijë euro), si dhe janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.
Sipas prokurorisë, të arrestuarit janë pronari i Operatorit Ekonomik “Zone Mobile” L.L.C, me inicialet F.A, i cili po dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga dhe “Shmangia nga tatimi”.
I arrestuari tjetër është pronari i kompanisë “Kompex” me seli në Pejë, me inicialet A.P, i cili dyshohet se ka kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, dhe “Shmangia nga tatimi”.
Ndërsa i arrestuari tjetër, sipas prokurorisë është i dyshuari G.H., nga Prizreni, pronar i kompanisë “Versacop” SH.P.K, me seli në Pejë i cili po dyshohet se ka kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, dhe “Shmangia nga tatimi”.
“Të dyshuarit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve brenda afatit ligjor do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, prokuroria bën të ditur se për këtë rast janë arrestuar edhe katër persona në muajin e kaluar./BetimipërDrejtësi