Bankat me kapital shqiptar po fitojnë më shumë pjesë në tregun bankar.
Statistikat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të tremujorit të parë të këtij viti, bankat me kapital vendas zotëronin 30.6% të aktiveve totale të sektorit bankar në vend.
Krahasuar me një vit më parë, pesha e bankave vendase në treg është rritur me 0.7 pikë përqindje, ndërsa në harkun e pesë viteve të fundit pjesa e tregut e bankave me kapital shqiptar është rritur me 14.5 pikë përqindje. Aktualisht, sistemi bankar ka katër banka me kapital mbizotërues shqiptar, Credins Bank, ABI Bank, Tirana Bank dhe Union Bank. Të gjitha e kanë rritur pjesën e tyre të tregut në 12 muajt e fundit të mbuluara nga statistikat,
Credins Bank ngelet banka më e madhe shqiptare, me 15.7% të tregut, në rritje me 0.4 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Vijon ABI Bank, që zotëron 5.5% të aktiveve totale, edhe kjo në rritje me 0.4 pikë përqindje në harkun e një viti. Tirana Bank ka arritur tashmë në 5.3% të tregut, nga 5.1% që mbante një vit më parë, ndërsa pjesa e tregut e Union Bank është rritur në 4.5%, nga 4.4% një vit më parë.
Megjithëse bankat me kapital të huaj vazhdojnë të jenë mbizotëruese, pesha e tyre është në rënie të vazhdueshme. Në 12 muajt e fundit, rënien më të ndjeshme e ka pësuar banka më e madhe në vend, BKT, që nga 26.7% mban tashmë 26% të tregut bankar. Në rënie janë edhe Intesa Sanpaolo në 12%, nga 12.3% një vit më parë dhe Alpha Bank, që ka zbritur në 4.9% të tregut, 0.2 pikë përqindje më pak se një vit më parë.
Pasi sektori bankar filloi të ndjente efektet e krizës që nisi në vitin 2008, shumica e bankave që iu takonin grupeve bankare të Eurozonës u detyruan të frenonin rritjen, për shkak të përkeqësimit të cilësisë së portofolit të kredisë, por edhe të kërkesave në rritje rregullative nga autoritetet europiane të mbikëqyrjes bankare. Kjo krijoi më shumë hapësira në treg për ato banka me aksionerë jashtë Eurozonës, që nuk kishin kufizime të këtij lloji. Mes tyre, bankat lokale ishin ndër subjektet më aktive, duke e zgjeruar pjesën e tyre të tregut, sidomos nëpërmjet huadhënies. Një shtysë të mëtejshme prania e kapitalit vendas e mori nga procesi i shitblerjeve brenda sistemit.
ABI Bank hyri në treg duke blerë fillimisht filialin e Credit Agricole dhe më pas edhe bankën NBG Albania. Megjithëse fillimisht zotërohej nga aksionerë amerikanë, formalisht ABI Bank ka qenë gjithnjë një bankë shqiptare, sepse kontrolli i paketës së aksioneve bëhej nëpërmjet institucionit financiar Tranzit. Pas blerjes së 80% të aksioneve nga drejtori ekzekutiv Andi Ballta, ABI Bank është edhe në mënyrë të tërthortë një bankë me kapital mbizotërues shqiptar.
Në vitin 2019, edhe Tirana Bank u bë një bankë me kapital shqiptar, pasi Grupi Bankar i Pireut e shiti tek grupi Balfin. Një tjetër bankë shqiptare që gërshetoi rritjen organike me zgjerimin përmes blerjeve ishte Union Bank, që në të njëjtin vit bleu Bankën Ndërkombëtare Tregtare.
Zgjerimi i kapitalit shqiptar në sektorin bankar ka të ngjarë të vazhdojë më tej. Ekspertët mendojnë se bankat vendase mund të jenë ndër konkurrentet kryesore për blerjen e Alpha Bank Albania, që u nxor në shitje muajin e kaluar. Ndërkohë, kompania shqiptare e sigurimeve Eurosig po ndjek një proces gradual të rritjes së pranisë së saj në kapitalin e Bankës së Bashkuar të Shqipërisë, ndonëse ngelet ende aksionere pakice