Nafta, në nivelin më të lartë që nga 2018

Nafta po tregtohet e qëndrueshme në sesionin e sotëm, ndërsa një mbështetje po e gjen nga të dhënat e publikuara në SHBA, që treguan një rënie më të madhe se parashikimet të rezervave gjatë javës së kaluar.

Edhe dyshimet për rikthimin e marrëveshjes bërthamore mes fuqive të mëdha dhe Iranit po mbështesin çmimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 75 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 73 dollarë për fuçi.

Reklama e sponzorizuar

Të dy bençmarkët po qëndrojnë në nivelin më të lartë që nga tetori i vitit 2018. Referuar të dhënave në SHBA, rezervat e naftës bruto ranë me 7.6 milionë fuçi gjatë javës që u mbyll më 18 qershor, në totalin e 459.1 milionë fuçive, niveli më i ulët që nga marsi i vitit 2020.

Analistët parashikonin një rënie me 3.9 milionë fuçi. Gjithashtu, edhe rezervat e benzinës ranë me 2.9 milionë fuçi, kundrejt parashikimeve për një rënie prej 833 mijë fuçi. ndërkohë, OPEC dhe aleatët e tjerë, që ndryshe njihen si OPEC+, do të takohen më 1 korrik për të diskutuar një rritje tjetër të kuotave të prodhimit, duke filluar nga muaji gusht.

Të dy bençmarkët kryesorë kanë fituar rreth 45% të vlerës gjatë këtij viti, ndërsa analistët parashikojnë se Brenti i Londrës mund të arrijë deri në 100 dollarë për fuçi, që do të jetë niveli më i lartë që nga viti 2014./SCAN TV/