Binance, platforma më e madhe e shkëmbimit të kriptomonedhave bllokohet në Britani

Platforma më e madhe e shkëmbimit të kriptomonedhave është ndaluar të operojë në Mbretërinë e Bashkuar nga rregullatori financiar i tregjeve.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (FCA) të Britanisë tha se Binance Markets Limited, dega e Binance në Mbretërinë e Bashkuar, “nuk lejohet të ndërmarrë ndonjë aktivitet të rregulluar në Britani.”

Nga 30 qershori, kompania, e cila tashmë ofron tregtinë e kriptomonedhave britanike përmes faqes së saj të internetit, duhet të postojë një lajmërim në një vend të dukshëm në faqen e saj të internetit dhe aplikacionet e saj dhe t’u tregojë përdoruesve të Mbretërisë së Bashkuar tekstin vijues:

Reklama e sponzorizuar
BINANCE MARKETS LIMITED nuk lejohet të ndërmarrë ndonjë aktivitet të rregulluar në Mbretërinë e Bashkuar. Për shkak të imponimit të kërkesave nga FCA, Binance Markets Limited nuk lejohet aktualisht të ndërmarrë ndonjë veprimtari të rregulluar pa miratimin paraprak me shkrim të rregullatorit financiar.

Binance, shkëmbimi më i madh në botë i kriptomonedhave nga vëllimet e tregtimit, kishte vendosur të hapte tregun e saj të pasurive dixhitale në Britani. Sidoqoftë, ajo ishte një nga disa firmat e kriptomonedhave që tërhoqi aplikimet për t’u regjistruar në FCA për shkak të mos përmbushjes së kërkesave kundër pastrimit të parave.

“Binance Markets Limited tërhoqën aplikimet e tyre 5MLD në 17 maj 2021 pas angazhimit intensiv nga FCA” tha një zëdhënës i FCA-së për CNBC.

“Aksioni i ndërmarrë sot në Binance Markets Limited ka kohë që është në proces”.

Zëdhënësi i FCA sqaroi se fushëveprimi i ndalimit ishte i kufizuar.

Megjithëse Binance Markets Limited është e ndaluar të ofrojë shërbime të rregulluara në Britani, firmat e paregjistruara ende mund të ndërveprojnë me konsumatorët e Mbretërisë së Bashkuar.

Kjo do të thotë që Binance ende mund t’u ofrojë britanikëve tregtinë e kriptomonedhave përmes faqes së saj të internetit, tha një zëdhënës i Binance.

“Lajmërimi i FCA U.K nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në shërbimet e ofruara në Binance.com … Marrëdhënia jonë me përdoruesit tanë nuk ka ndryshuar”.

“Ne po informohemi për ndryshimin e politikave, rregullave dhe ligjeve në këtë hapësirë ​​të re.”

“FCA ka deklaruar që Binance nuk lejohet të kryejë aktivitete të rregulluara në Mbretërinë e Bashkuar,” tha Laith Khalaf, analist financiar për CNBC.

“Sigurimi i aksesit në kriptomonedha nuk është një aktivitet i rregulluar, por ofrimi i derivateve është, i cili me sa duket është aktiviteti që FCA po mundohet të kufizojë”.

FCA nuk është rregullatori i vetëm që po godet industrinë e kriptomonedhave.

Agjencia e Shërbimeve Financiare të Japonisë paralajmëroi javën e kaluar se Binance po operonte në vend pa lejen e saj. Ndërkohë, edhe Kina ka rritur përpjekjet në këtë drejtim, duke urdhëruar ndërprerjen e veprimeve në një numër rajonesh dhe duke u bërë thirrje bankave dhe firmave të pagesave që të mos ofrojnë shërbime të lidhura me kriptomonedhat.

Kontrolli i shtuar rregullator po ndikon shumë në tregun e ri të kriptomonedhave, dhe ky nuk është vetëm një hap për të goditur krizën e kriptomonedhave por është pjesë e një trendi në rritje të ndërhyrjes rregullatore në tregjet e kriptomonedhave, tha Khalaf, duke iu referuar kufizimeve të FCA mbi Binance. /Monitor.al/