Bordi i Drejtorëve shpërbleu veten me bonuse, punëtorëve nuk ua paguan as tatimet

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit për vitin 2020, ka gjetur se Kompania për Menaxhimin e Deponive ka kompensuar Bordin e Drejtorëve të saj me bonuse shtesë përpos pagës bazë, në emër të performancës vjetore.

Ky kompensim përveç që kishte ndodhur në kundërshtim me ligjin për ndërmarrjet dhe vendimin e Aksionarit, në këtë rast Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), lartësia e shumës së stimulimit ishte 50% e shumës së përgjithshme vjetore të honorarit themelor.

Zyratarët e kësaj kompanie e kishin parë të arsyeshme këtë vendim dhe e kishin konsideruar si një të drejtë ligjore një kompensim të tillë, që kapte vlerën e gjithsej 9 mijë e 300 eurove, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

“Bordi i Drejtorëve më datë 01.09.2020 kishte marrë vendim që të paguaj kompensimin për stimulimin e performancës vjetore të Bordit të Drejtorëve në lartësi prej 50% të shumës së përgjithshme vjetore të honorarit themelor. Shuma totale e shpenzuar për këtë qëllim ishte gjithsej 9,300€. Kjo kishte ndodhur, pasi që zyrtarët e kompanisë kishin konsideruar se kishin të drejtë ligjore për këtë kompensim”, thuhet në raportin e auditimit nga ZKA-ja.

Mirëpo, të njëjtit zyrtarë nuk e kishin parë të arsyeshme pagimin e tatimeve dhe kontributeve pensionale të punonjëseve tjerë të tyre. Kjo pasi, sipas Auditorit të Përgjithshëm, Bordi i Drejtorëve të kompanisë në fjalë kishte marrë vendim për ndarje të mjeteve shtesë si ndihmë solidare në vlerë të 4 mijë e 400 eurove vetëm për të punësuarit që i janë ekspozuar direkt rrezikut të infektimit me Covid-19.

Por këto pagesa nuk ishin përfshirë fare në pagat bruto të këtyre punonjësve sipas ligjit për tatime, dhe regjistrimet në kontabilitet ishin bërë në kuadër të shpenzimeve operative në llogarinë “Kontribut për ndihma solidare”, sqaron Auditori.

“Ligji nr. 05/L -028 për tatimin në të ardhurat personale, neni 9 pika 1.2, përcakton që në të ardhurat bruto nga pagat përfshihen edhe bonuset, provizionet, mëditjet dhe format e tjera të kompensimit që një punëdhënës apo ndonjë person tjetër, në emër të punëdhënësit ua paguan punonjësve mbi dhe përtej rrogës”, përcakton ligji për të ardhurat personale.

Sipas zyrtarëve të kompanisë, arsyetimi dhënë ZKA-së ishte se kjo kishte ndodhur pasi për herë të parë është dhënë një mbështetje e tillë për punonjësit dhe e njëjta është vlerësuar si ndihmë solidare.

Ndryshe, në bazë të vendimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) nr. 01/2599 të datës 18.12.2017, pika 1, është paraparë qartë “Pezullimi i vendimeve për kompensimin për stimulimin e efektshmërisë së anëtarëve të Bordeve të Drejtoreve të Ndërmarrjeve Publike Qendrore”.

Mospërfillja e vendimit të MZHE–së për pezullim të vendimeve për kompensim për stimulime ka rezultuar me pagesë jo të rregullt dhe në kundërshtim me vendimin e Aksionarit (MZHE-së).

Kurse, prezantimi i pagës dhe shtesave për punëtorë në kuadër të shpenzimeve operative ka ndikuar në mbivlerësim të shpenzimeve operative dhe nënvlerësim të shpenzimeve të pagave. Tutje, ZKA bën me dije se kjo mënyrë e deklarimit ka ndikuar në mosdeklarim të kontributeve pensionale dhe tatimeve të aplikueshme në Kosovë.

ZKA gjithashtu rekomandon që Bordi i Drejtorëve të kësaj kompanie, të sigurojë se nuk do të merren vendime të cilat nuk janë të ligjshme dhe që nuk janë në pajtim me vendimet e aksionarit, dhe se çfarëdo pagese shtesë apo stimulime për punonjësit të realizohet vetëm nëpërmjet sistemit të pagave, si dhe të sigurojë se janë zbatuar obligimet tatimore dhe kontributet pensionale për to.

Përveç shkeljeve të përmendura, Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë kishte krijuar edhe marrëdhënie pune me disa punonjës pa shpallur konkurs publik fare, siç e përcakton Ligji i Punës.

Kompania kishte plotësuar pozitën e punës “zyrtarë të logjistikës” për të cilin nuk kishte shpallur konkurs publik, por vetëm me anë të konkursit të brendshëm kishte punësuar praktikantin e saj, duke krijuar marrëdhënie të rregullt pune për të.

“Kjo kishte ndodhur, pasi që zyrtarët kishin konsideruar konkursin e brendshëm si procedurë adekuate duke e konsideruar praktikantin si punonjës të kompanisë”, konstaton ZKA-ja.

Sipas Ligjit të Punës Nr.03/L-212, çdo punëdhënës në sektorin publik, është i obliguar të shpallë konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës”, përfundon Auditori. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/