Bordi i Telekomit me vendim: Punëtorët e avancuar pa kritere të kthehen në pozitat e më hershme

Bordi i drejtorëve i Telekomi të Kosovës me anë të një e-maili që i ka dërguar personelit, njofton se ka marr disa vendime që lidhen me punësimet dhe të gjeturat e Zyrës së Auditorit për këtë ndërmarrje.

Në letrën e siguruar nga Telegrafi, thuhet se punësimet e viteve 2018 dhe 2019 që nuk kanë kontrata pune pozitën aktuale të kthehen në kontrata bazë.

“Punësimet e vitit 2018 dhe ato të vitit 2019 të cilët/at janë graduar me vendime dhe nuk kanë kontratë pune për pozitën aktuale të kthehen në kontratën bazë të punës. Në të gjitha të gjeturat e ZKA të vitit 2018 dhe ato të vitit 2019 për lëvizje të stafit të cilët/at kanë kaluar prej njërës gradë/pozitë në gradën/pozitën tjetër me vendime deri në një vendim tjetër, të kthehen në kontratën bazë të punës, përjashtim rasteve të degradimeve. Vendimi është bërë i plotfuqishëm dhe ka hyrë në fuqi nga data 18.06.2021”, thuhet në letër.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, aty thuhet se, të gjithë punëtorët e avancuar pa kritere, të evidentuara nga ZKA-ja do t’i pranojnë vendimet për rikthimin e tyre në kontratat e më hershme.

“Bordi i Drejtorëve së bashku me Menaxhmentin e ri të ndërmarrjes janë të fokusuar që të mos lejojë që një praktikë e tillë e anashkalimit të procedurave ligjore dhe administrative të vazhdojë në të ardhmen dhe po ashtu merr vendim që të gjitha shkeljet e kësaj natyre të ngritura nga Auditori i përgjithshëm në vitin 2018 e në vazhdimësi, të shfuqizohen. Me këtë, vendimet për avancime (ri sistemime) të punonjësve pa bazë juridike të lëshuara nga viti 2018 e tutje, shfuqizohen në datën e plotfuqishmërisë së marrjes së vendimit të Bordit të Drejtorëve, që është data 18.06.2021. Të gjithë punëtorët e avancuar pa kritere, të evidentuara nga ZKA do t’i pranojnë vendimet-njoftimet për rikthimin e tyre në kontratën bazë të punës”, vijon vendimi.

Në fund, letra thotë se, “vendim nuk synon atakimin e përgatitjes profesionale të punonjësve por vetëm paligjshmërinë e avancimeve, do të kujdesemi dhe të sigurohemi që në fazën e radhës, në procesin e ristrukturimit, të vendosim komplet rregullin ligjor të zhvillimit profesional të punonjësve në kushte të barabarta”.