Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie gjatë ditës së sotme në tregun vendas, duke e mbyllur javën në kuotën e 122.73 lekë, nga 122.93 lekë të hënën.
Ky është një tjetër nivel i ulët, që nga periudha e para pandemisë, konkretisht që nga fillimi i marsit të vitit 2020. Më pas, monedha e përbashkët u ngjit për disa ditë në 130 lekë në fund të marsit, si rrjedhojë e ndërprerjes së fluturimeve që krijuan vështirësi të përkohshme në furnizimin ën valutë. Më pas euro u stabilizua në nivelet e 123-124 lekë, ndërsa në pjesën e parë të këtij viti, monedha e përbashkët ka shfaqur tendenca nënçmuese, shpesh në linjë të kundërt edhe me tendencën në bursat ndërkombëtare.
Sipas aktorëve të tregu, rënia e fundit lidhet me dy arsye kryesore:
-Së pari, monedha e përbashkët ka rënë ndjeshëm në bursa, në raportet e këmbimit me dollarin. Gjatë ditës së sotme, një euro u këmbye me 1.19 dollarë, niveli më i ulët që nga fillimi i prillit. Dollari po shkon drejt javës më të mirë që nga fillimi i shtatorit, pasi zyrtarët e Rezervës federale dhanë sinjale se ata mund të rrisnin normat e interesit për herë të parë që nga fillimi i pandemisë. FED gjithashtu rishikoi në rritje projeksionet për ekonominë dhe inflacionin. Kjo pritshmëri nxiti një lëvizje agresive të monedhës së gjelbër.
-Së dyti, në tregun vendas ka shumë valutë. Tregtuesit, duke qenë se në treg ka valutë tentuan të mbanin çmimin e dollarit të pandryshuar dhe si rrjedhojë ulën çmimin e euros, në mënyrë që të ruanin të pandryshuara raportet me bursat ndërkombëtare (Kursi i kryqëzuar që nënkupton që raporti euro/dollarë në tregun vendas duhet të jetë njësoj si në bursa, pra 1.19). në tregun vendas, dollari po këmbehet në nivelet e 102.94 lekëve, niveli më i lartë që nga 14 prilli 2021.
Oferta e lartë për valutë në vend, sipas aktorëve të tregut, lidhet me flukset e parasë informale. Nga ana tjetër, javët e fundit, me gjallërimin e turizmit dhe fillimin e charterave me turistë nga Europa, krahas atyre të Kosovës, është shtuar dhe një burim tjetër i hyrjes së valutës.
Sezonalisht stina e verës shoqëroret me një nënçmim të valutave në vend, si rrjedhojë e prurjeve nga turistët dhe në gusht edhe nga emigrantët.