Gjeopolitika e re e biznesit global

Kina dhe Amerika mbizotërojnë si kurrë më parë

Njëzet vite më parë, çmimi i aksioneve të një kompanie startup, nën drejtimin e një personi “të fiksuar”, me emrin Jeff Bezos, ra me 71% gjatë 12 muajve. Përvoja thuajse rrënuese e Amazon ishte pjesë e rrëzimit të Dotcom që ekspozoi vetëbesimin e tepërt të Silicon Valley dhe së bashku me mashtrimin prej 14 miliardë dollarësh në Enron, shkatërroi besimin te bizneset amerikane.

Nga ana tjetër, Kina, ishte në procesin e vështirë të privatizimit të kompanive të saj, në pronësi shtetërore, dhe kishte pak shenja se mund të krijonte një kulturë të sipërmarrjes. Shpresa e vetme e ndritshme ishte në Europë, aty ku një monedhë e re e përbashkët mund të katalizonte një treg gjigant të integruar dhe miqësor ndaj biznesit.

Reklama e sponzorizuar

Shkatërrimi krijues shpesh i bën parashikimet të duken qesharake, por edhe sipas këtyre standardeve, bota e biznesit post-pandemik është shumë e ndryshme nga ajo që mund të prisnit dy dekada më parë. Firmat e teknologjisë përbëjnë një të katërtën e tregut global të aksioneve dhe shpërndarja gjeografike është bërë më e njëanshme. Amerika dhe sidomos Kina janë në rritje, duke pasur 76 nga 100 firmat më të vlefshme në botë. Numri i kompanive europiane në këtë listë ka rënë nga 41 në vitin 2000, në 15 sot.

Çekuilibri, në një pjesë të madhe, pasqyron aftësitë amerikane dhe kineze dhe plogështinë në Europë dhe gjetiu. Kështu ngrihen dy pyetje kryesore: pse ka ndodhur kjo? Dhe a mund të zgjasë?

Në vetvete, kompanitë e mëdha nuk janë më të mira se të voglat. Statusi i Japan Inc u rrit shumë në vitet 1980, por pastaj u shkatërrua. Firmat e mëdha mund të jenë shenjë suksesi, por edhe përtacie. Saudi Aramco, kompania e dytë më e vlefshme në botë, më tepër sesa një simbol i fuqisë ekonomike, është tregues i një mbretërie shkretëtirë që ka mbetur e varur në mënyrë të rrezikshme te lëndët djegëse fosile. Sidoqoftë, lloji i duhur i një kompanie gjigante mund të tregojë edhe një ekologji të shëndetshme biznesi, ku krijohen firma të mëdha dhe efikase që vazhdimisht mposhten nga konkurrenca. Është sekreti i ngritjes së standardit jetësor afatgjatë.

Një mënyrë për të matur dominimin e Amerikës dhe Kinës, është duke krahasuar pjesën e tyre të prodhimit botëror me pjesën e aktivitetit të biznesit (përcaktuar si mesatarja e pjesës së tyre të kapitalizimit të tregut global të aksioneve, të ardhurat nga oferta publike, financimi i kapitalit të sipërmarrjes, “njëbrirëshit” ose kompanitë më të mëdha private startup, dhe 100 firmat më të mëdha në botë). Sipas këtij standardi, Amerika përbën 24% të PBB-së globale, por 48% të aktivitetit të biznesit. Kina zë 18% të PBB-së dhe 20% të biznesit. Vendet e tjera, me 77% të popullsisë së botës, janë shumë më poshtë.

Një pjesë e shpjegimit është mundësia e shpërdoruar e Europës. Ndërhyrjet politike dhe kriza e borxhit në vitet 2010-‘12 kanë bllokuar integrimin ekonomik të kontinentit. Kompanitë nuk arritën të parashikonin zhvendosjen drejt ekonomisë jomateriale. Europa nuk ka kompani startup për të rivalizuar me Amazon ose Google. Por edhe vendet e tjera kanë pasur vështirësi. Një dekadë më parë, Brazili, Meksika dhe India ishin të gatshëm të krijonin një grup të madh firmash globale. Pak prej tyre kanë pasur sukses.

Vetëm Amerika dhe Kina kanë qenë në gjendje të përballojnë mirë procesin e shkatërrimit krijues. Nga 19 firmat e krijuara në 25 vitet e fundit, të cilat tani vlejnë mbi 100 miliardë dollarë, nëntë janë në Amerikë dhe tetë në Kinë. Europa nuk ka asnjë. Edhe teksa gjigantët e mëdhenj të teknologjisë si Apple dhe Alibaba përpiqen të thellojnë dominimin, një grup i ri i firmave teknologjike, duke përfshirë Snap, PayPal, Meituan dhe Pinduoduo, po arrijnë sukses. Pandemia ka nxitur një shpërthim energjie në Amerikë dhe Kinë dhe një bum në mbledhjen e fondeve. Kompanitë nga të dy vendet dominojnë në teknologjitë e reja si makinat fintech dhe ato elektrike.

Formula magjike e këtyre vendeve ka shumë përbërës. Një treg i gjerë vendas i ndihmon firmat të arrijnë shpejt shkallë ndërkombëtare. Tregjet e thella të kapitalit, rrjetet e kapitalistëve sipërmarrës dhe universitetet cilësore mundësojnë prurje të reja të vazhdueshme. Ekziston një kulturë që i lartëson sipërmarrësit. Manjatët e Kinës mburren me etikën e punës “996”: nga ora 9:00 e mëngjesit, deri në 9:00 të darkës, gjashtë ditë në javë. Elon Musk fle në dyshemenë e fabrikës së kompanisë së tij Tesla. Mbi të gjitha, politika mbështet shkatërrimin krijues. Amerika ka toleruar prej kohësh më shumë përçarje sesa Europa komode. Pas vitit 2000, sundimtarët e Kinës i lanë sipërmarrësit të nisnin trazira dhe pushuan nga puna 8 milionë punëtorë në firmat shtetërore.

Por erozioni i kohëve të fundit në konsensusin politik në të dyja këto vende, është një nga arsyet pse dominimi mund të mos jetë jetëgjatë. Amerikanët janë të shqetësuar për rënien kombëtare, si dhe pagat e ulëta dhe monopolet. “The Economist” e mbështet qëllimin e administratës Biden për të promovuar konkurrencën dhe për të zgjeruar rrjetin e sigurimeve shoqërore në mënyrë që të mbrohen punëtorët e dëmtuar nga përçarja. Por ekziston rreziku që Amerika të vazhdojë të anojë drejt proteksionizmit, politikës industriale dhe taksave ndëshkuese të kapitalit, që dëmtojnë vrullin e biznesit.

Nga ana tjetër, në Kinë, presidenti Xi Jinping i sheh kompanitë e mëdha private si një kërcënim për fuqinë dhe stabilitetin social të Partisë Komuniste. Trysnia ndaj manjatëve nisi vitin e kaluar me Jack Ma, bashkëthemeluesin e Alibaba dhe që atëherë është përhapur te shefat e tre kompanive të tjera të mëdha teknologjike. Ndërsa zyrtarët e partisë kërkojnë të “udhëzojnë” kompanitë private në mënyrë që të arrijnë qëllimet politike, si vetëmjaftueshmëria kombëtare në disa teknologji, ata gjithashtu mund të ulin konkurrencën e këtyre firmave përballë konkurrentëve të tjerë që kanë mundësinë të manovrojnë lirisht në treg.

Sa më shumë që ndërhyjnë Amerika dhe Kina, aq më shumë pjesa tjetër e botës duhet të shqetësohet për njëanshmërinë gjeografike të biznesit global. Në teori, kombësia e firmave që kërkojnë fitim nuk ka rëndësi: për sa kohë që ato shesin produkte konkurruese dhe krijojnë vende pune, ç’rëndësi ka? Por puna ndryshon nëse kompanitë ndikohen nga qeveritë në vendin e tyre.

Që tani kanë plasur mosmarrëveshjet në vendet ku firmat shumëkombëshe prodhojnë vaksina, vendosin rregulla dixhitale dhe paguajnë taksa. Shpresat europiane për të qenë një superfuqi rregullatore mund të pengohen nga proteksionizmi. Të tjerë, me më pak ndikim, mund të ngrenë barriera. Për të vendosur sovranitetin, India ka ndaluar mediat sociale kineze dhe kompanitë amerikane të tregtisë elektronike që nuk kanë shumë popullaritet. Kjo është diçka vërtet negative, sepse i privon konsumatorët vendas nga risitë globale, duke krijuar pengesa që e bëjnë edhe më të vështirë për kompanitë lokale të shtrihen përtej kufijve.

Identifikimi i problemit

Do të ishte vërtet tragjike nëse vetëm dy shtete në botë do të rezultonin të aftë për të mbështetur procesin e shkatërrimit krijues. Por do të ishte edhe më keq nëse ata do të largoheshin prej tij, dhe vendet e tjera do të pranonin humbjen dhe do të vendosnin barrikada. Matësi më i mirë i suksesit do të jetë nëse brenda 20 vitesh, lista e kompanive më të mëdha në botë nuk do të duket aspak si e sotmja.