Goditet grupi i prodhimit të paligjshëm të kriptovalutave në Shqipëri

Kriptovalutat

Policia shqiptare ka njoftuar se ka goditur një grup që dyshohet se kishte ngritur një njësi të paligjshme për prodhimin e kriptovalutave në Fier.

Sipas policisë, gjatë operaciont të koduar “Fabrika” është arrestuar Fabjo Braçaj nga Fieri, shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, Fatjon Koçi nga Saranda dhe është proceduar penalisht një 61-vjeçar nga Fieri me akuzat për “mashtrimi kompjuterik”, “fshehja e të ardhurave” dhe “vjedhja e energjisë elektrike”.

Policia tha se, “tre personat në bashkëpunim dyshohen për ngritjen në Fier të një strukture për prodhimin e kriptovalutave, të cilat krijohen me anë të futjes dhe ndryshimit të të dhënave kompjuterike në pajisje elektronike, duke krijuar përfitime monetare”.

Reklama e sponzorizuar

Policia ka arritur të sekuestrojë 11 pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, pajisje të telefonisë celulare dhe pajisje të tjera elektronike.

Sipas policisë aktiviteti i prodhimit të kriptovalutave bie ndesh me ligjin shqiptar, “për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

Njësia e zbuluar në Fier dyshohet edhe për disa shkelje si shmangien e procedurave ligjore në lidhje me detyrimet ndaj shtetit , dhe vjedhjen e energjisë elektrike.

Sipas ekspertëve të fushës, funksionimi i pajisjeve elektronike në prodhimin e disa llojeve të ndryshme të monedhave dixhitale harxhon sasi të mëdha të energjisë elektrike.