Ndërmarrja publike “Hortikultura’ ka shpërblyer anëtarët e Bordit të saj me dy paga shtesë të jashtëligjshme gjatë vitit 2020.
Bordi drejtues i kësaj ndërmarrjeje, gjatë vitit 2020, përkundër kërkesës ligjore që pagesat e Bordit Drejtues të bëhen vetëm sipas vendimit të Aksionarit, kishte marrë vendimin për ta shpërblyer veten me nga dy bonuse, në vlerë të pagës, në emër të ndihmës financiare. Këto bonuse për Bordin Drejtues ishin në shifrën e 3 mijë e 528 eurove, përcjell Buletini Ekonomik.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit për vitin 2020 për ndërmarrjen “Hortikultura”, konstaton se sipas konfirmimit zyrtar të kryesuesit të Bordit të Drejtorëve, ky vendim është marrë duke u bazuar në kërkesën që Bordi Drejtues i kishte drejtuar Aksionarëve të ndërmarrjes, të cilët thuhet se janë përgjigjur duke thënë se pagat shtesë aprovohen nëse janë në harmoni me ligjet në fuqi.
Si rrjedhojë edhe Bordi Drejtues i Hortikulturës kishte konsideruar se ky vendim është në harmoni me ligjet në fuqi.
“Bordi Drejtues i Kompanisë, edhe përkundër kërkesës ligjore që pagesat për drejtorët e Bordit Drejtues të bëhen sipas Vendimit të Aksionarit, kishte marrë vendim për kompensim me dy paga shtesë për anëtarët e saj, në shumën 3,528€, në emër të ndihmës financiare”, thuhet në raportin e auditimit.
Mirëpo, Auditori i Përgjithshëm thekson se kompensimi i tillë nuk është në përputhje fare me kornizën ligjore për ndërmarrjet publike dhe se kompensimi shtesë i anëtarëve të Bordit Drejtues, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ndikon në dëmtimin e buxhetit të Kompanisë për shkak të shpenzimit të parave publike pa ndonjë bazë bazë ligjore.
ZKA-ja me këtë rast i rekomandon Bordit të Drejtorëve se me rastin e nxjerrjes së vendimeve për kompensime shtesë të Bordit, duhet të sigurohen fillimisht se kompensimet e tilla të jenë në përputhje me vendimet e Qeverisë dhe ligjet në fuqi.
Ndryshe, Buletini Ekonomik ditë më parë ka raportuar edhe për kompensime tjera të paligjshme në ndërmarrjen tjetër publike, “Bifurkacioni”, me ç’rast edhe aty anëtarët e Bordit e kishin shpërblyer veten me bonuse shtesë për 11 muaj rresht.
Pesë anëtarët e Bordit të Drejtorëve në ndërmarrjen publike “Bifurkacioni”, gjatë 2020-s ishin kompensuan me hic më pak se 4 mijë e 730 euro, përpos pagës bazë, për 11 muaj rresht, në kundërshtim të plotë me Ligjin për ndërmarrjet publike.
Ata ishin kompensuar me paga shtesë në baza mujore për 11 muaj, në emër të komisionit të ashtuquajtur për Hulumtim dhe Zhvillim, komision ky që nuk parashihej të kompensohej fare me asnjë vendim apo rregullore.
Auditori i Përgjithshëm në raportin e tij për vitin 2020 rreth kësaj ndërmarrje, ka vënë në pah se pagat shtesë për Bordin e Drejtorëve të Bifurkacionit, janë në kundërshtim me Ligjin për ndërrmarrjet publike dhe në kundërshtim të plotë edhe me vendimin e Qeverisë 07/81 të datës 23.03.2016, njësoj si te ndërmarrja Hortikultura.
Sipas rregullores për Ndërmarrjet Publike, Auditori kumton se ndërmarrjet në fjalë janë përgjegjëse për pagimin e të gjithë kompensimit për drejtorët e tyre vetëm nga pagesat e parapara me Vendimin e Aksionarit, dhe drejtorët nuk do të mund të marrin asnjë kompensim ose përfitim tjetër nga ndërmarrja. /Buletini Ekonomik/