Kompanitë e huaja rrisin investimet në pasuritë e patundshme në Shqipëri

Kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri kanë rritur interesin në aktivitetet financiare dhe ato të pasurive të patundshme.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, portofolin e investimeve të huaja direkte në pjesën e parë të këtij viti vijon ta dominojë sektori i industrisë nxjerrëse me 40 milionë Euro investime por kjo shifër është përgjysmuar krahasuar me një vit më parë.

E kundërta ka ndodhur me tregun e pronave në të cilin kompanitë e huaja kanë investuar 30 milionë Euro në periudhën Janar-Mars, ndërsa janë trefishuar edhe investimet në sektorin e ndërtimit.

Reklama e sponzorizuar

Vrullin më të madh që prej nisjes së pandemisë e kanë patur aktivitetet financiare, fushë në të cilën investimet e huaja kanë arritur në afro 40 milionë Euro çdo 3-mujor.

Punimet në hidrocentralin e Devollit vijojnë të mbajë në vend të parë investimet e huaja nga Holanda, ndërsa në vend të dytë ka kaluar Franca me projektin e parkut diellor në Karavasta, e ndjekur nga Italia dhe Turqia.

Rritje kanë patur edhe investimet nga firma të regjistruara në parajsa fiskale, ku kapitali i hedhur arriti në 34 milionë Euro në këtë tremujor. /Tv Klan/