Një litër naftë aktualisht shitet me 61.5 denarë apo 1 euro dhe me taksën e re çmimi do të arrinte në 65 denarë apo 1.06 centë.
Paralajmërimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për aplikimin e një takse ekologjike, përmes rritjes së çmimit të naftës për 3.5 denarë (rreth 6 euro centë) për litër, ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, duke e vlerësuar këtë më shumë si vendim për varfërimin e popullatës sesa si masë për mbrojtjen e ambientit.
Një litër naftë aktualisht shitet me 61.5 denarë apo 1 euro dhe me taksën e re çmimi do të arrinte në 65 denarë apo 1.06 centë.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka thënë se me një taksë të tillë, qeveria planifikon që brenda vitit të grumbullojë deri më 30 milionë euro, që do të shfrytëzoheshin për qëllime ekologjike. Veç kësaj, ai ka thënë se kjo masë synon të stimulojë përdorimin e pajisjeve tjera në qarkullimin rrugor, si trotinetet, biçikletat apo mjete tjera që nuk ndotin ambientin.
Por, shoqatat ekologjike thonë se vendimi nuk do të sjellë asgjë të re sa i përket ambientit, sikur edhe premtimet tjera të qeverisë që nuk kanë dhënë asnjë efekt sa i përket ndotjes së ajrit.
Ana Çollovska nga shoqata “Eko Svest”, thotë se paratë që do të mblidheshin nga taksa ekologjike do të përfundonin, sikur edhe fondet tjera, për qëllime që aspak nuk kanë të bëjnë me ambientin.
Ajo thotë se formimi i një fondi për ekologjinë do të ishte zgjidhja më e mirë, pasi do të kishte transparencë në shpenzimin e parave apo evitim të keqpërdorimeve.
“Derisa të mos themelojnë një fond për ambientin jetësor, çdo deklaratë apo premtim për ambient të pastër, do të jetë i kot, pasi ata as vet nuk e dinë se ku përfundojnë parat e buxhetit dedikuar për ambientin. Ka edhe raporte ndërkombëtare se ne nuk i harxhojnë fondet e dedikuar për ekologjinë pasi ato përfundojnë diku tjetër. Është në rregull që të paguajmë taksë ekologjike, por të dihet se ku përfundojnë paratë tonë, pra ne si shoqatë zgjidhje e shohin në themelimin e një fondi për ekologjinë, ku do të ishin transparente të gjitha shpenzimet. Por, si duket kjo nuk u konvenon dhe Ministria e Financave nuk dëshiron të heqë dorë nga luksi që të ketë para dhe t’i shfrytëzojë ashtu siç dëshiron vet”, thotë Çollovska.
Hamdi Sulejmani, ambientalist dhe drejtues i shoqatës “Të Mbrojmë Kodrën e Diellit”, thotë për Radion Evropa e Lirë se një fond i tillë ekologjik më shumë do të ishte në funksion të partive për fushatë zgjedhore tani në vjeshtë sesa si masë e qeverisë për mbrojtjen e ambientit.
Ai thotë se nga rritja e çmimit të naftës, qytetarët edhe më shumë do të varfërohen, pasi siç thotë, kjo do të reflektohet në rritjen e çmimeve edhe të produkteve ushqimore.
“Shihet se ata po bëjnë matematikat e tyre për të financuar platformat e tyre nëpërmjet taksave që do t’ua marrin qytetarëve prej 3.5 denarë nga nafta. Ne e dimë se ata kanë filluar të revitalizojnë apo të punojnë rreth pastrimit të deponive të ndryshme apo në disa projekte që kanë të bëjnë me ambientin, por asgjë prej tyre nuk është realizuar ashtu siç duhet. Ata po na ngufatin gjatë ndërtimin të hidrocentraleve, në njërën anë shkatërrojnë ambientin, ndërsa në anën tjetër i financojnë apo u japin subvencione atyre kompanive që ndërtojnë hidrocentrale. Janë kontradiktor në vendimet e tyre dhe ne jemi thellë të zhgënjyer”, thotë Sulejmani, përcjell Albinfo.ch.
Lidhur me paralajmërimin e qeverisë ka reaguar edhe opozita maqedonase.
“Ne me kohë kemi paralajmëruar rritjen e çmimit të naftës, ndërsa Zaevi thoshte se kjo është gënjeshtër derisa vet doli dhe pranoi se do vendoset tatim i ri ekologjik për naftën. Për gjashtë muaj, dizeli u shtrenjtua për 7.5 denarë. Tani qytetarët e varfër do të pësojnë edhe një goditje të re, duke e bërë edhe më të vështirë jetën e tyre”, thuhet në reagimin e partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE.
Nga qeveria thonë se pavarësisht rritjes së çmimit të naftës, Maqedonia e Veriut mbetet me çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon. Taksa e re e qeverisë pritet të hyjë në fuqi më 1 korrik, ndërsa paraprakisht vendimi duhet të kalojë në qeveri dhe kuvend përmes Ligjit për rishikimin e buxhetit.