Ndërprerja e rrymës në Pallatin e Drejtësisë, reagon KEDS-i

Seanca gjyqësore në rastin “Stenta 2”, është ndërprerë sot për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në sallën ku po mbahej gjykimi, në Pallatin e Drejtësisë. Lidhur me këtë rast, nga KEDS-i kanë deklaruar se nuk ka pasur asnjë prishje.

Në reagimin e KEDS-it bëhet e ditur se nuk ka pasur asnjë interferim deri tek asetet e brendshme të Pallatit të Drejtësisë.

“Në disa media sot ka dalë një lajm që në Pallatin e Drejtësisë është ndalë energjia elektrike, prandaj nuk ka qenë e mundur të mbahet një nga seancat e rëndësishme të parpapara për sot. KEDS bën me dije që nuk e ka ndalë energjinë elektrike dhe nuk ka pasë asnjë prishje apo ndonjë interferim deri tek asetet e brendshme të Pallatit të Drejtësisë. Pra, sa i përket anës tonë gjithcka ka qenë në rregull dhe në bazë të normave të parapara. Kërkojmë nga mediat që e kanë publikuar lajmin që të hulumtojnë shkaktarin e vërtetë të problemit, në mënyrë që të del e vërteta në pah”, thuhet në reagimin e KEDS-it.

Reklama e sponzorizuar

Një rast i ngjashëm i ndërprerjes së e energjisë elektrike në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë ka ndodhur para pak ditësh, derisa po mbahej seanca gjyqësore ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve.