Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të ditur se një numër i madh i bizneseve nuk janë duke deklaruar saktë TVSH-në. 👇
Në të njëjtën kohë ATK-ja ua ka bërë me dije tatimpaguesve se në bazë të ligjit, të gjithë janë të detyruar të aplikojnë saktë normën e TVSH-së në të gjitha furnizimet e tyre, si në furnizim të mallrave ashtu edhe në atë të shërbimeve.
Sipas ATK-së, Deklaruesit e TVSH-së, duhet të deklarojnë saktë furnizimet e tyre duke aplikuar Normën e TVSH-së konform Ligjit të TVSH-së, siç janë:
-Shitjet e liruara pa të drejtë kreditimi;
-Shitjet e liruara me të drejtë kreditimi;
-Eksportet;
-Shitjet e tatueshme me normën 18%;
-Shitjet e tatueshme me normën 8%.
Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen te bizneset – Deklarues të TVSH-së, me qëllim të identifikimit të atyre bizneseve, të cilat nuk janë duke aplikuar saktë Normën e TVSH-së”, thuhet në një komunikatë për media nga ky institucion.
ATK-ja ka theksuar se disa nga këta tatimpagues, nuk janë duke zbatuar këtë obligim, prandaj ajo iu bënë thirrje që me rastin e furnizimit të mallrave/shërbimeve të aplikojnë saktë Normën e TVSH-së, në mënyrë që edhe konsumatorët të paguajnë TVSH-në konform Ligjit të TVSH-së.
ATK me këtë rast ka inkurajuar të gjithë tatimpaguesit që në të njëjtën kohë janë edhe Deklarues të TVSH-së që t’i përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën ATK-ja do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor.
“Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju do të kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenies shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore”, përfundon komunikata./Buletini Ekonomik/









