Pse ekonomia e Amerikës Latine është dëmtuar kaq shumë nga Covid-19

PBB globale u tkurr me 3% vitin e kaluar, por ajo e Amerikës Latine dhe Karaibeve ra me 7%, shkruan The Economis.

Para se të godiste pandemia, Jaime Alirio Pinilla, një 45-vjeçar në Bogotá, kryeqyteti i Kolumbisë, punonte si punëtor ndërtimi. “Tani humba punën dhe punoj në rrugë”, thotë ai, duke qëndruar pas një karroce çeliku, nga e cila shet lëng portokalli, ëmbëlsira, cigare dhe kafe.

Kolumbia ka pasur një nga karantinat më të gjata në botë dhe po përballet me përplasje të përditshme midis protestuesve dhe forcave të sigurisë, ndërsa trazirat mbi situatën ekonomike vazhdojnë për të tretën javë radhazi. “Ne kemi qenë të mbyllur për më shumë se një vit dhe nuk mund ta durojmë më këtë”, thotë zoti Pinilla. “Ekonomia është shkatërruar, ne po mbijetojmë, nuk po jetojmë më”.

Reklama e sponzorizuar

Pandemia Covid-19 provokoi recesionin më të thellë global që nga Lufta e Dytë Botërore. Por një rajon është goditur më keq ekonomikisht se çdo vend tjetër – dhe me një diferencë të madhe. PBB-ja globale u tkurr me 3% vitin e kaluar, por në Amerikën Latine dhe Karaibe, prodhimi ra me 7%, niveli më i keq se çdo rajon i shqyrtuar nga FMN-ja (megjithëse India, pothuajse një rajon në vetvete, kishte rezultate më të këqija).

Në vitin 2020, njerëzit në Amerikën Latine kanë punuar 16% më pak orë, pothuajse sa dyfishi i humbjes së orëve në nivel global. Disa vende në rajon kanë pasur një ecuri jashtëzakonisht të keqe: për shembull, PBB-ja e Perusë ra me 11% vitin e kaluar. Dhe ndërsa disa ekonomi tani po rimëkëmben me heqjen e kufizimeve, në Amerikën Latine gjendja shpirtërore e njerëzve është përkeqësuar.

Shpjegimi më i thjeshtë për ecurinë e tmerrshme të rajonit lidhet me shëndetin publik. Studimi i vdekjeve shtesë nga The Economist vlerëson se Amerika Latine dhe Karaibet kanë numrin më të lartë të vdekjeve shtesë në botë nga pandemia, në raport me popullsinë.

Ndërsa vaksinimet në pjesë të tjera të botës po frenojnë përhapjen e sëmundjes dhe dëmtimin që ajo shkakton, në shumë pjesë të Amerikës Latine, koronavirusi po përhapet me vrull. Në Brazil, ku presidenti populist, Jair Bolsonaro, ka refuzuar qoftë edhe të mbajë maskë apo të vaksinohet, arriti një pikë kur numri zyrtar i të vdekurve në ditë kaloi shifrën 4,000 persona (tani është rreth 2,000). Edhe vendet që më parë kishin bërë një punë të mirë në kontrollin e pandemisë, si Uruguai, tani po përjetojnë rritje të rasteve.

Karantinat e ashpra

Përhapja e sëmundjes nxiti qeveritë në të gjithë rajonin për të imponuar karantinat më të rrepta në botë. Një matje sasiore nga banka Goldman Sachs, përcakton një rezultat nga 0 në 100 për të vlerësuar ashpërsinë e masave kufizuese të një vendi, shkallën e respektimit të këtyre rregullave dhe distancimet vullnetare sociale (shih grafikun). Asnjë rajon nuk ka përjetuar një vit më të izoluar sesa Amerika Latine, me lëvizje 70% më të kufizuar sesa në Amerikën e Veriut.

Argjentina dhe Kili kanë qenë përkatësisht vendet e dyta dhe të katërta më të kufizuara në botë. Peruja kryeson listën. Aty karantina fillestare ndihej si ditët më të errëta të luftës kundër kryengritësve të lëvizjes Maoiste në fillimin e viteve 1990. Askush nuk lejohej të largohej nga shtëpia përveçse për të blerë ushqime. Policët dhe ushtarët zbatuan me përpikmëri shtetrrethimin. Karantina kaq të rënda e bëjnë të pamundur aktivitetin ekonomik, edhe nëse shumë njerëz të varfër të rajonit nuk kishin zgjedhje tjetër veçse të sfidonin urdhrat e qëndrimit në shtëpi në një përpjekje për të siguruar jetesën.

Përveç ashpërsisë së shpërthimit të virusit në Amerikën Latine dhe karantinave të lidhura me të, dy faktorë të tjerë kanë kontribuar në tkurrjen e dhimbshme ekonomike të rajonit: struktura e ekonomive lokale, si dhe shkalla e modeli i stimulit fiskal. Fillojmë nga struktura ekonomike. Një sërë provash tregojnë se rajoni është veçanërisht i prekshëm nga masat kufizuese. Shumë vende në Amerikën Latine dhe Karaibe janë shumë të varura nga turistët ndërkombëtarë. Aruba, një ishull holandez në Karaibe, veçanërisht i varur nga vizitorët, përjetoi rënie të PBB-së me 25% në vitin 2020.

Arsyet e rënies ekonomike

Kërkimet e fundit nga FMN kanë zbuluar se punësimi në “sektorët me kontakt intensiv”, aty ku është e pamundur të kryesh një punë pa pasur afërsi fizike me të tjerët, është veçanërisht i rëndësishëm në Amerikën Latine dhe Karaibet. Punët në industri si restorantet, dyqanet ose transporti publik zënë 43% të punësimit total, krahasuar me 30% në tregjet në zhvillim.

Si një rajon me pabarazi të lartë, Amerika Latine ka shumë njerëz që punojnë në shtëpitë e njerëzve më të pasur, që do të thotë se nga pikëpamja e pandemisë, ka kontakte midis familjeve. Në një studim të fundit, Louisa Acciari dhe kolegët e saj në University College London, anketuan punonjësit shtëpiakë në shumë vende dhe zbuluan se ata nuk kishin mjaftueshëm pajisje mbrojtëse personale dhe se të drejtat e tyre ishin shkelur.

Në të vërtetë, vdekja e parë zyrtare nga Covid-19 në Rio de Janeiro ishte një pastruese shtëpie e infektuar nga punëdhënësja e saj. Sipas zyrtarëve të shtetit, gruaja kishte qenë në Itali ku ishte infektuar dhe pasi ishte sëmurur, nuk kishte marrë mundimin ta dërgonte në shtëpi punonjësen e saj.

Faktori i fundit që ka ndikuar në ecurinë e tmerrshme ekonomike të rajonit është politika fiskale. Për të matur nëse reagimi fiskal i një vendi ndaj pandemisë ka qenë mjaft i madh, krahasohen dy gjëra: ndryshimi në deficitin e përgjithshëm buxhetor të një vendi dhe prodhimi i humbur gjatë pandemisë. Duke përdorur një metodologji të zhvilluar nga Goldman Sachs, The Economist llogariti mjaftueshmërinë e stimulit të nxitur nga pandemia për 193 vende.

Shumë qeveri në të gjithë botën, për çdo dollar të prodhimit të humbur, kanë rritur shpenzimet me një dollar. Disa, si Shtetet e Bashkuara dhe Australia, kanë qenë shumë më bujare. Amerika Latine, megjithëse zbatoi një stimul fiskal më bujar sesa në recesionet e kaluara, ka qenë koprace edhe në krahasim me tregjet e tjera në zhvillim. Një vend i zakonshëm në Amerikën Latine shtoi vetëm 28 cent deficit shtesë për çdo dollar të prodhimit të humbur.

Projektimi i stimulit ka edhe mangësi. Vendet me planet më të suksesshme u kanë dërguar shuma të mëdha parash direkt njerëzve. Kjo ka ndihmuar në thyerjen e lidhjes midis humbjeve të vendeve të punës dhe shkurtimeve të shpenzimeve të familjeve, duke mbështetur ekonominë. Përkundrazi, Amerika Latine, kryesisht i ka përqendruar burimet e saj diku tjetër, si në ndërtimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor.

Jo të gjitha vendet e Amerikës Latine e kanë ndjekur këtë rrugë. Në Brazil, shpenzimet nga qeveria e zotit Bolsonaro kanë kompensuar pothuajse plotësisht për prodhimin e humbur. Kjo ndihmoi në zvogëlimin e incidencës së varfërisë ekstreme, edhe pse pandemia kishte kapluar vendin, megjithëse niveli i ndihmës emergjente për familjet e varfra ka rënë kohët e fundit dhe uria dhe format e tjera të deprivimit janë përsëri në rritje.

Megjithatë, disa qeveri kanë qenë çuditërisht të rrepta. E tillë ishte Meksika, e udhëhequr nga Andrés Manuel López Obrador, i vetëshpallur si politikan i krahut të majtë. Programi stimulues i dobët i Meksikës (17 cent për 1 dollar shpenzime të humbura) buron nga ndjeshmëria monastike dhe autarkike e zotit López Obrador, i cili është mjaft i ndrojtur ndaj idesë së borxhit, sidomos kur ky i fundit financohet nga të huaj. Në Kolumbi, protestat u ndezën nga përpjekja më 28 prill e qeverisë së Iván Duque për të shtyrë një reformë tatimore. Këto protesta janë përshkallëzuar në një pakënaqësi shumë më të gjerë. Pjesa më e madhe e pakënaqësisë buron nga perceptimi se ka pasur një përgjigje të metë ose të gabuar ndaj Covid-19, që çoi 2.8 milionë njerëz në varfëri ekstreme.

Masakra ekonomike nuk do të zgjasë përgjithmonë. Por rritja vjetore e PBB-së prej 3-4% që Amerika Latine dhe Karaibet mund të presin pasi të hiqen kufizimet, mbetet nën normat që presin Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera. Një rritje e fundit e çmimeve të mallrave nuk do të ndihmojë shumë në këtë drejtim: indeksi i çmimeve botërore të mallrave mbetet nën nivelin ku ishte për pjesën më të madhe të periudhës që nga kriza financiare globale.

Dhe për shkak të stimulit të dobët, familjet nuk kanë grumbulluar kursime të mëdha, siç kanë bërë familjet në shumë vende më të pasura, kështu që nuk do të ketë shpenzime të tepruara pas karantinës. Siç tregojnë trazirat në Kolumbi, rajoni më tepër i goditur nga pandemia, përballet me më shumë telashe.