Autoriteti i konkurrencës në Britani deklaroi se po heton nëse Ryanair dhe British Airways kanë thyer ligjin e konsumatorit duke mos ofruar rimbursim për fluturimet që klientët nuk mund të bënin dot ligjërisht gjatë pandemisë.
Në periudhat e karantinës në Britani, linjat ajrore refuzuan të rimbursojnë njerëzit që nuk mund të fluturonin dot ligjërisht, me British Airways që ofronte kupona apo riprenotim dhe Ryanair që ofronte opsionin e riprenotimit.
Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve, tha se linjat ajrore mund të kenë thyer ligjin e konsumatorit dhe ka nisur hetime ndaj tyre. Ekzekutivi i rregullatorit, Andrea Coscelli tha se ndërsa linjat ajrore kanë pasur një periudhë të vështirë gjatë pandemisë, njerëzit nuk duheshin lënë pa marrë paratë thjesht se po ndiqnin ligjin.
“Klientët i kanë prenotuar këto fluturime me besim të mirë dhe nuk kanë pasur mundësi ligjerisht prej rrethanave jashtë kontrollit të tyre” – tha ai, duke shtuar se këto njerëz duhet të marrin mbrapsht paratë. Rregullatori deklaroi se i ka njoftuar të dy kompanitë dhe se po përpiqet të zgjidhë çështjet, që mund të përfshijë kthimin e parave mbrapsht tek klientët. Ryanair deklaroi se e mirëpret përditësimin e rregullatorit mbi politikat e linjave ajrore mbi kërkesat për rimbursim, të bëra nga konsumatorët gjatë pandemisë. “Ryanair i është drejtuar këtyre kërkesave të rimbursimit rast pas rasti dhe ka paguar tek personat e justifikuar”- deklaroi kompania./Scan tv/