Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në ceremoninë e shpalljes së ankandit për ndërtimin e parqeve eolike, se “po hapim një tjetër kapitull drejt diversifikimit të burimeve të energjisë”.
Rama tha se “Shqipëria do të jetë një alternativë më shumë për prodhimin e energjisë duke shfrytëzuar një tjetër burim, siç është era”. Prej sot, tha ai, “shpallim ankandin për ngritjen e parqeve eolike”.
Kryeministri nënvizoi se “ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën drejt horizontit të Shqipërisë 2030 dhe në përmbushjen e ambicies sonë për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë elektrike dhe njëkohësisht eksportues të një energjie të gjelbër të rinovueshme”.
“Besoj që kujtimi i kohës kur Shqipëria ishte një zonë rreziku permanent për sa i takon stabilitetit të saj energjetik, është ende i freskët. Ndërkohë që sot ne jo vetëm prodhojmë 100 % energji të rinovueshme, por kemi hyrë në fazën e një transformimi shumë të rëndësishëm të sistemit tonë elektroenergjetik, duke projektuar diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “varësia nga moti është një varësi të cilën e kemi bashkudhëtare në këtë rrugë si rezultat i prodhimit të përqendruar tërësisht tek shfrytëzimi i fuqisë ujore, por edhe në këtë aspekt projekti i HEC-it të Skavicës është një lajm shumë i mirë për faktin se na krijon mundësinë ta ulim në mënyrë drastike këtë varësi nga moti si rezultat i shfrytëzimit të Skavicës për të krijuar rezervë për kohën kur s’ka shi dhe nga ana tjetër për të evituar përfundimisht përmbytjet e detyruara”.
Sot që flasim, tha Rama, “jemi kantier për parkun fotovoltatik të Karavastasë dhe së shpejti do të jemi në kantier në parkun e Spitallës”.
“Parku i Karavastasë 140 megavat dhe ai i Spillesë 100 megavat. Të dy së bashku janë një fuqi e re e shtuar e sistemit tonë elektroenergjetik së cilës tani i shtohet edhe shfrytëzimi racional i burimeve të energjisë së erës. Mendoj që kjo do të ishte e pamundur të imagjinohej disa vite më parë, por njëkohësisht do të ishte jo lehtësisht e realizueshme me standardet e transparencës dhe cilësinë në rast se lidershipi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nuk do të kishte pasur partnerët e duhur në vendin dhe kohën e duhur, ku BERZH është një partner konstant dhe për sa i takon kësaj faze të re kemi nderin të kemi partneritetin e qeverisë zvicerane, që na ka garantuar jo vetëm burime financiare, por mbi të gjitha burime dijeje të çmuara dhe realisht shumë të nevojshme”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “e gjithë kjo rrugë transformimi dhe e gjithë kjo qasje e dedikuar në 360 gradë, jo vetëm për të ndërtuar, por edhe të ndërtuar mirë dhe në mënyrë të besueshme nga pikëpamja e procesit”.
“Sukseset e pamohueshme të ankandeve të mëparshme e kanë bërë Shqipërinë sot në këtë fushë një destinacion interesi për emrat më të mëdhenj në tregun global të energjisë. Nëse jo para shumë vitesh do të ishte e pamundur të imagjinohej se në Shqipëri do të bëheshin anakande dhe të merrnin pjesë kompani prestigjoze, sot kjo është një rutinë procesi zhvillimi dhe transformimi”, tha Rama.
Rama shprehu bindjen se “kemi vendosur bazat dhe po vazhdojmë të ngjitemi drejt asaj maje ku shqiptarët e meritojnë dhe ku mund të arrijmë falë edhe shfrytëzimit me mençuri dhe profesionalizëm të gjithë këtyre burimeve të pasura natyrore”.
“Sektori i energjisë, kthimi vendit tonë në eksportues neto të energjisë së pastër në rajon e bën Shqipërinë 2030 një horizont jo vetëm të arritshëm, por edhe një horizont perspektive të re për gjithë fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë”, tha Rama.