Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka thënë se ky sektor është njëri nga më të goditurit në Kosovë si pasojë e pandemisë COVID-19.
Sogojeva ka deklaruar se rreth 17 mijë punëtorë të kësaj fushe e kanë humbur punën që nga mbyllja e parë e vendit si shkak i coronavirusit.
“Në kohën e sezonës së verës kur është numri i personave që e kanë humbur punën shkon dikur rreth 30 mijë. Nëse e llogarisim me përqindje 70 për qind ishim të prekur, kështu numri i punëtorëve të papunë shkon në 50 deri 60 përqind. Prandaj, fati e ka dashtë që kemi filluar ta marrim veten me masat e reja që janë vendosur”, tha ai në “Shtatë Ditë me Panxhën” në Klan Kosova.
“Afër një miliard kemi humbje në këtë sektor, nuk them që ATK-ja po humb, unë them në qarkullim e kemi këtë shifër të humbjes. Këtu lidhen të gjitha, janë të degëzuara, ushqimi, shërbimet, pijet, qytetarët në sallone, etj. Krejt kjo veprimtari afër një miliard euro ka humbje, ato janë pare, aty derdhen pare”, ka thënë Sogojeva.
Sogojeva ka thënë se edhe turizmi në Kosovë është goditur sikurse sferat të tjera.
Ai ka folur për lejimin e mbajtjes së dasmave në Kosovë nga 15 qershori, duke thënë se lejohet përdorimi i 30 për qind të sallës ku mbahet dasma.
“Duke respektuar manualin e sotshëm që është në 10 metra katror lejohen pesë persona, nëse e llogarisim në 100 metra katror dalin 50 veta. Kur salla i ka 1000 deri 1200 metra dalin diku gati 200 persona që lejohen në sallë”, ka thënë Sogojeva.
Ai ka thënë se në takimin e fundit të OHT-së me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, janë realizuar 95 për qind e kërkesave të tyre.